“Tuttomercatoweb” ka shkruar të shtunën se Kristjan Asllani pritet të jetë titullar për duelin ndaj Juventusit. 

Asllani kishte pësuar lëndim sa ishte me Shqipërinë në ndeshjet e muajit tetor në Ligën e Kombeve. Mesfushori i Interit ia kishte siguruar Shqipërisë pikët e plota në udhëtim ndaj Gjeorgjisë, por i ka munguar Interit në dy ndeshjet e fundit, ndaj Romës dhe Young Boysit. 

Megjithatë, në konferencën për shtyp të shtunën para ndeshjes derbi me Juventusin, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka folur fjalë të mëdha për Asllanin që pritet ta zëvendësojë Hakan Çalhanoglun. 

“Ne e dimë sa i rëndësishëm është Çalhanoglu, është lojtar i klasit botëror. Zëvendësuesi i tij natyral është Asllani. Nëse ai më bind, do të jetë titullar. Asllani është lojtar që është përmirësuar shumë në vitet e fundit. Fati i tij i keq është që në konkurrencë e ka Hakanin. Për fat të keq, ai pati telashe ndaj Romës. Është kthyer në stërvitje por duhet ta shikojmë gjendjen e tij. Në të njëjtin rol ne e kemi edhe Barellan dhe Zielinskin, por do të vendos për formacion të dielën në mëngjes”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp të shtunën.