MIAMI – Në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetarin Fabrizio Romano, Lionel Messi ka ndarë përvojën e tij në Major League Soccer (MLS) dhe sesi ky ndryshim i ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Pasi iu bashkua ekipit të Inter Miami në Amerikë, Messi ka përjetuar një atmosferë të veçantë që, sipas tij, dallon shumë nga liga të tjera në të cilat ka luajtur.

“Tifozët e MLS më kanë befasuar. Nuk e prisja këtë angazhim dhe pasion nga ana e tyre,” tha Messi. “Është stresuese të luash si mysafir këtu; çdo ndeshje është një përballje e vështirë për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme që marrin ekipet vendase,” shtoi ai.

Në një tjetër segment të intervistës së dhënë për 433, Messi tregoi për kohën e lirë që kalon me familjen. “Sporti të cilin fëmijët e duan më së shumëti kur jemi në shtëpi, është futbolli. Djemtë i pëlqejnë këto momente së bashku, edhe pse nganjëherë luajmë edhe PlayStation,” tha ai me një buzëqeshje.

Në aspektin e stilit të lojës, Messi pranon se koha e ka bërë të përshtatet dhe të ndryshojë. “Mosha bën të vetën, dhe natyrisht, tani dribloj më pak dhe fokusohem në lojën në grup. Ndihma për ekipin është më e rëndësishme për mua tani,” sqaroi ai.

Në lidhje me të ardhmen e tij në MLS dhe ambiciet me Inter Miami, Messi është optimist. “Ekipi ynë është në zhvillim dhe mendoj që në të ardhmen mund të konkurrojmë për trofe të rëndësishme. Për momentin, dua të jap maksimumin për këtë ekip dhe për këtë qytet që më ka mirëpritur ngrohtësisht,” u shpreh argjentinasi.

Kur u pyet për rutinën para ndeshjeve, Messi ndau një detaj interesant për tifozët: “Dëgjoj muzikë. Muzika më ndihmon të përgatitem dhe të mbaj qetësinë.”

Në fund, për atë që vjen pas karrierës në futboll, Messi nuk është ende i sigurt. “Futbolli është një sport ku shumë gjëra ndodhin brenda një periudhe të shkurtër. Nuk e di ende se çfarë do të bëj kur të lë fushën, por jam i përqendruar tek momenti që kam tani,” përfundoi Messi./varkosova.com/