Mesfushori Donat Rrudhani është larguar nga grumbullimi i Kosovës shkaku i një lëndimi që pësoi në stërvitjen e djeshme.
Pas ekzaminimeve mjekësorë të bëra, ka rezultuar se Rrudhanit i duhet kohë për t’u rikuperuar andaj nuk do të jetë në gjendje për ta ndihmuar Kosovën ndaj Rumanisë, respektivisht Lituanisë.
“Në seancën e sotme mungoi Donat Rrudhani, i cili pësoi lëndim në stërvitjen e djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore u lirua nga grumbullimi”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Përndryshe, Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu janë optimist se Kosova do t’i arkëtojë pikët e plota në Bukuresht.
“Është një atmosferë e mirë në ekip. Qysh po e shihni jemi përgatitur mjaftë mirë. Secili lojtarë e dinë rëndësinë e kësaj ndeshje edhe besoj që do të futemi vetëm për tre pikë”.
“Me prurjet e reja, secili lojtarë mund ta tregojë vetën në këto dy ndeshjet që i kemi. E dimë që Rumania ka një ekip mjaftë të mirë dhe renditet në vendin e parë në tabelë, ne nuk kemi frikë nga asnjë ekip. Kemi ekip mjaftë të mirë dhe do të hymë vetëm për fitore”, deklaroi talenti i Ballkanit.
Ndërkohë, Jashari nënvizoi se po përgatiten taktikisht për këtë sfidë të rëndësishme.
“Atmosfera është shumë e mirë, me energji dhe pozitivet nga të gjithë lojtarët. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe besoj shumë që në Bukuresht do të arrijmë fitore”.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht taktikisht dhe normal po shikojmë pikët e forta dhe të dobëta të Rumanisë. Në këtë ndeshje do të ballafaqohemi me një ekip shumë të mirë të Rumanisë, por besoj në fitore”.
Kujtojmë, Kosova nesër në mesditë udhëton drejt Bukureshtit, kurse përballja zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:45.