Te Feronikeli 74 kanë vendosur për një tjetër tërheqje. Por jo në drejtim të asaj që njoftuan një ditë më herët – për të mos vazhduar garimin në garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës. 

Klubi i ri nga Drenasi të premten mbajti konferencë të jashtëzakonshme për shtyp për të treguar se po tërhiqet nga vendimi i së enjtes mbrëma për largim nga gara, përkatësisht për të njoftuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës kosovare të futbollit. 

“Ndoshta duhet të tërhiqemi nga ai vendim për hir të tifozëve, donatorëve, sportdashësve, që të mos e prishim ligën. Por ne presim reflektim dhe të mos ndodhin gjitha këto që kanë ndodhur deri sot. Ju e dini se nuk është hera e parë që dëmtohet Feronikeli. Nuk është vetëm për Feronikelin, por të gjitha ekipet i kanë ankesat e tyre te ndarja e drejtësisë në fushë. Qëkur kemi hyrë në Superligë, jemi ekipi më i dëmtuar”, ka thënë kryetari i Feronikelit 74, Erlind Krasniqi. 

Konferenca në fakt ishte në dyshim nëse do të mbahej. Nisi me 15 minuta vonesë. Të pranishëm ishin edhe lojtarët e skuadrës dhe dhjetëra tifozë në shkallët e stadiumit “Rexhep Rexhepi”. Ata bënë thirrje e fyerje kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, përkatësisht ndaj kryetarit të saj, Agim Ademi. Hodhën në fushë dhjetëra fotografi me fytyrën e kryetarit Ademi, ku shkruhej “Huligani që zaptoi Federatën e Futbollit”. 

Këso fotografi u vendosën në shtyllën e njërës prej portave dhe pranë tifozëve. 

“Konferenca e jashtëzakonshme” edhe u mbajt në “kushte të jashtëzakonshme”. 

Kryetari Krasniqi theksoi se klubi do të vazhdojë garat pas kërkesës nga qytetarët e Drenasit, tifozët dhe njerëzit që e ndihmojnë klubin. Por theksoi se nëse ndodh sërish ndonjë padrejtësi, siç vlerësojnë në klub, do të largohen përfundimisht.  

Krasniqi pretendon se Feronikeli 74 është dëmtuar në më shumë se gjysmën e ndeshjeve që i ka zhvilluar në edicionin aktual. Akuzat e fundit, Feronikeli 74 i pati pas barazimit 2:2 me Llapin. 

“Nga 11 ndeshje jemi të dëmtuar në gjashtë. Nuk po them që do t’i merrnim 18 pikë, por të paktën do t’i kishim tetë pikë. Por kjo ka përfunduar tashmë dhe mendojmë të vazhdojmë. Besoj që tash e tutje do të jetë ndryshe”, ka shtuar Krasniqi, i cili ka treguar se ankesat i kanë dërguar vazhdimisht në Federatë, por nuk është ndërmarrë diçka ndaj arbitrave. 

Drejtuesi i Feronikelit 74 theksoi se aspekti financiar nuk ka qenë prej arsyeve që skuadra të largohet nga garat. KOHA ka mësuar se Feronikeli 74 ka hyrë në muajin e tretë pa paguar lojtarët. 

“Nuk ka probleme Feronikeli me financa”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi, i cili ka kërkuar reflektim nga FFK-ja. 

Në konferencë ka folur edhe Lapidar Lladrovci, kapiteni i ekipit. Edhe ai theksoi se skuadra është prej më të dëmtuarave në ligë. Përmendi edhe ndeshjen ndaj Suharekës në udhëtim, por edhe atë ndaj Prishtinës së Re në barazhin për mbetje në elitë, që i takoi edicionit të kaluar. 

“Prej vendimit që u mor dje kemi marrë shumë mesazhe edhe prej sportdashësve të qytetit, edhe prej prindërve të fëmijëve që të vazhdojmë. Dhe pas shumë mbledhjeve që i ka mbajtur kryesia dhe kërkesave të shumta prej qytetarëve të Drenasit dhe dashamirëve të klubit u vendos të vazhdohet. Njëra prej arsyeve kryesore ka qenë që fëmijët të mos dëmtohen dhe ta vazhdojmë garën, sepse më të dëmtuarit do të ishin ata. Ëndrrat e tyre do të shuheshin. Kësisoj mendoj se e kemi marrë një vendim. Shpresojmë që Federata tash e tutje do të reflektojë, sepse nuk është në rregull kjo. Nuk po ndodh vetëm sivjet. Ju jeni dëshmitar edhe të vitit të kaluar, kemi qenë njëri prej klubeve më të dëmtuara në ligë”, ka deklaruar Lladrovci, që ishte pjesë e sukseseve edhe të Feronikelit të dikurshëm. 

Pasi Feronikeli 74 njoftoi të enjten për tërheqjen, në përkrahje të këtij klubi dolën klube si Ballkani, Llapi e Suhareka. Janë tri prej klubeve kryesore në elitë dhe që vlerësohen të afërta me federatën.

Madje Feronikeli 74 vlerësoi se u dëmtua rëndë në ndeshjen ndaj Llapit në Podujevë. Dhe më pas Llapi i doli në përkrahje klubit nga Drenasi, në një lëvizje vështirë të shpjegueshme. 

Skuadra e Feronikelit 74 të premten vazhdoi me stërvitjen e radhës për ndeshjen që do ta ketë ndaj Ballkanit të hënën, në kuadër të xhiros së 12-të. 

Aktualisht zë vendin e fundit me vetëm tri pikë nga po aq barazime. Ka edhe tetë disfata. 

Feronikeli 74 është klub i themeluar vetëm në vitin 2022, ndërsa vend në Ligën e Parë zuri falë një fuzionimi shumë të dyshimtë, që nuk u sqarua asnjëherë. Ai fuzionim u kalua në heshtje nga FFK-ja. 
Ky klub shfrytëzon historinë dhe asetet e Feronikelit të mëhershëm, që e ka ndërprerë aktivitetin. Klubi i ri ka hequr dorë vetëm nga borxhet shumë të mëdha të ish-kampionit të Kosovës.