Humbje shumë të thellë kanë pësuar basketbollistët e Kosovës në ndeshjen e tretë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Të enjten mbrëma në Bern, “Dardanët” pësuan humbje me rezultatin 75:43.

Ishte disfata e dytë e Kosovës në këtë fazë të kualifikimeve për Botëror, ndërsa fitorja e tretë për përfaqësuesen helvetike.

Kosova shfaqi paraqitje të mirë në çerekun e parë, por i dyti e bëri dallimin e madh në rezultat. Dhe basketbollistët e udhëhequr nga trajneri me përvojë, francezi Jean-Denys Choulet, nuk arritën të ktheheshin më në lojë për ta bërë përmbysjen e madhe në rezultat. Epërsia më e lartë e zviceranëve shkoi deri në 35 pikë.

Zvicra i prinë Grupit A kualifikues me tri fitore në po aq ndeshje të luajtura. Irlanda, Azerbajxhani dhe Kosova janë në pozitat tjera, në grupin me katër përfaqësuese.

Të tria këto përfaqësuese do të luftojnë për renditje sa më të mirë. Kanë nga një fitore e dy disfata.

Me statistikat më të mira te Kosova në këtë ballafaqim ishte Gëzim Morina, që shënoi gjashtë pikë, tetë kërcime e katër asistime.

Mikaile Tmushiq kishte nëntë pikë, katër kërcime e një asistim.

Asnjë basketbollist i Kosovës nuk pati pikë dyshifrore në këtë ballafaqim.

Ndërkohë te Zvicra, Boris Mbala kishte 15 pikë, 12 kërcime e dy asistime.

Me nga 14 pikë kontribuuan Selim Fofana dhe Jonathan Kazadi.

Për Kazadin ishte ndeshja e fundit me përfaqësuesen helvetike. Ai tërhiqet nga Zvicra pas 69 ndeshjeve të luajtura prej vitit 2010.

Çereku i parë u mbyll me rezultatin 14:12 në të mirë të Zvicrës.

Në periudhën e dytë, “Dardanët” arritën t’i shënonin vetëm gjashtë pikë për dhjetë minuta, kurse Zvicra realizoi plot 22 herë.

Në pushim, Zvicra shkoi me epërsinë e thellë 36:18.

Kosova në çerekun e tretë e pati paraqitjen më të mirë por nuk arriti që ta shkrijë diferencën e madhe të pikëve. Dhjetëminutëshi i tretë u mbyll baras, 20:20.

Në periudhën e fundit, zviceranët aplikuan lojë të mirë në mbrojtje e sulm për fitoren e tretë në grup.

Kosova e kishte mposhtur Irlandën 83:76 në ndeshjen e parë. Në duelin e dytë ishte mposhtur në udhëtim nga Azerbajxhani, 87:77.

Zvicra ndërkohë ka fituar 72:53 ndaj Azerbajxhanit, kurse Irlandën e mposhti me shifrat 86:63.

Më 24 nëntor, Kosova luan sërish në udhëtim. Në Dublin ballafaqohet me Irlandën, ndërsa Zvicra në Baku luan kundër Azerbajxhanit.


Kosova e nis mirë, por e mbyll me disavantazh të thellë pjesën e parë

Basketbollistët e Kosovës e nisën mirë ndeshjen ndaj Zvicrës në Bern, por e kanë mbyllur pjesën e parë me disavantazh të thellë.

Ky ballafaqim i takon Grupit A të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Çereku i parë u mbyll me vetëm dy pikë dallim në të mirë të helvetikëve, 14:12.

Në periudhën e dytë, “Dardanët” shënuan vetëm gjashtë pikë dhe u mposhtën me rezultatin 22:6.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 36:18 në të mirë të zviceranëve.

Kjo ndeshje ishte paraparë të niste në orën 19:30, por u shty për shkak se ekipi i Zvicrës mbërriti me shumë vonesë në palestër.

Në Bern pati të reshura të shumta të borës dhe kjo ua pamundësoi zviceranëve të arrinin në kohë.

Ndeshja, megjithatë, nisi në orën 20:50.