Ekipet e Kosovës në karate, ai i meshkujve dhe femrave, të mërkurën janë nisur drejt Spanjës. Kupa Botërore në konkurrencë ekipore nis të premten dhe përfundon të dielën.
Karateistët kosovarë presin të trajtohen të barabartë në Spanjë. Pra t’u lejohet paraqitja e tyre me simbole shtetërore.
“Ky kampionat është mundësia perfekte për t’i treguar botës përkushtimin, dashurinë dhe pasionin tonë për karatenë. Me përkushtim dhe krenari, ekipet tona do të përfaqësojnë flamurin dhe nderin e Kosovës”, shkruan në njoftimin e Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK).
Karateistet e Kosovës janë në Grupin C bashkë me Taipein Kinez, Hungarinë, Italinë dhe Ekuadorin.
Në konkurrencën e meshkujve, Kosova është në Grupin C bashkë me Francën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kazakistanin dhe Greqinë. Dy vendet e para sigurojnë kalimin në çerekfinale.
Faza grupore, çerekfinalet dhe gjysmëfinalet zhvillohen më 22 dhe 23 nëntor, ndërsa finalet dhe luftërat për medalje të bronztë do të zhvillohen më 24 nëntor.
Kosova siguroi paraqitjen në Kupën e Botës në konkurrencë ekipore falë medaljes së bronztë të fituar nga karateistet në Kampionatin Botëror të karatesë, në konkurrencë ekipore. Botërori u zhvillua në tetor të vitit të kaluar në Budapest të Hungarisë, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës e siguroi vendin e tretë nëpërmjet repesazhit.
Karateistët në Pamplona të Spanjës marrin pjesë me ftesë.