Basketbollistët e Kosovës e nisën mirë ndeshjen ndaj Zvicrës në Bern, por e kanë mbyllur pjesën e parë me disavantazh të thellë.

Ky ballafaqim i takon Grupit A të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Çereku i parë u mbyll me vetëm dy pikë dallim në të mirë të helvetikëve, 14:12.

Në periudhën e dytë, “Dardanët” shënuan vetëm gjashtë pikë dhe u mposhtën me rezultatin 22:6.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 36:18 në të mirë të zviceranëve.

Kjo ndeshje ishte paraparë të niste në orën 19:30, por u shty për shkak se ekipi i Zvicrës mbërriti me shumë vonesë në palestër.

Në Bern pati të reshura të shumta të borës dhe kjo ua pamundësoi zviceranëve të arrinin në kohë.

Ndeshja, megjithatë, nisi në orën 20:50.