“Për nga mënyra se si e shoh, unë jam gladiator i kohës moderne. Unë vetëm hyj në ring dhe duhet të luftoj”.

Kështu thotë 19-vjeçari Moses Itauma, që nga shumë njohës të boksit vlerësohet si e ardhmja e peshës së rëndë në boks, që tashmë ka statistika mbresëlënëse.

Më 21 dhjetor ai fitoi ndaj Demsey McKean në raundin e parë. Për të ishte fitorja e 11-të në boksin profesionist. Nëntë prej atyre meçeve ai i ka fituar me nokaut.

Në Arabinë Saudite, nën hijen e rimeçit mes Tyson Furyt e Oleksandr Usykut, Itauma kishte bërë rrugë të gjatë nga klima e ftohtë e Sllovakisë, vendlindja e nënës së tij, ku i kaloi vitet e para të jetës.

“Është pjesë e identitetit tim. Nuk është diçka që do ta ndryshoja, por nuk jemi trajtuar njësoj si gjithë të tjerët”, thotë Itauma, babai i të cilit është nigerian me prejardhje.

“Ne dalloheshim pasi ishim të vetmit afrikano-sllovakë, por unë jam krenar me prejardhjen. Mendoj se i kam më të mirat e të dyja botëve, qëndrueshmërinë e mentalitetin sllovak dhe fuqinë fizike të anës së nigerianëve”.

Itauma e ka treguar rrugëtimin e tij për BBC nga palestra në Essex të Anglisë. Ai vjen nga qyteti i vogël sllovak, Kezmarok, ndërsa pritet të bëhet njëri prej boksierëve më të mirë në divizionin magjeps të boksit.

Nga Enriko në Moses

Familja e tij lëvizi drejt Chathamit në Kent kur Itauma ishte trevjeçar.

Ai nisi me boks në moshën nëntëvjeçare. E pranon se e ka urryer seancën e parë stërvitore, por thotë se është kënaqur me shoqërinë e të tjerëve në palestër.

Gjatë viteve si tinejxher, talenti i tij u shfaq me fitore nëpër turne nëpër botë.

“Aty ku jetoja kishte shumë boksierë amatorë dhe unë gjithmonë e kam parë veten në boks. Kaloja kohë të mirë në shkollë aty ku e shihja shoqërinë gjatë mësimeve, e më pas takoheshim edhe në palestër”, thotë ai.

Para se ta festonte ditëlindjen e 16-të, Itauma kishte bërë sparing me ish-kampionin e botës në kategorinë kruzer, Lawrence Okolie.

Talenti i tij ishte zbuluar herët. Kur vëllai i madh i Itaumas, Karol, nënshkroi me kompaninë “Queensberry”, nuk shkoi shumë kohë para se edhe ai ta bënte të njëjtën gjë.

Promotorët preferuan që në kategorinë e peshës së rëndë ai të njihej me emrin Moses, e jo Enriko.

I uritur për të bërë gjithçka që karriera e tij të rritet, Itauma e pranoi një gjë të tillë.

“Karol tha se Moses tingëllonte më fuqishëm për peshën e rëndë, kështu që vendosëm”, thotë ai.

Synohet rekordi i Tysonit

Ka bërë bujë në media kur Itauma ka thënë se dëshiron që ta thyejë rekordin e Mike Tysonit, si kampioni më i ri në peshën e rëndë në moshën 20-vjeçare, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë shumë shpejt.

Atij i duhet që të bëhet kampion i botës më 19 maj 2025, për ta thyer rekordin e Tysonit.

“Dua që ta thyej rekordin e Tysonit dhe po bëj sa po mundem. Nëse nuk arrij në kohë, nuk do të jetë faji im”, thotë ai.

Itauma ka thënë se e ka mësuar realitetin e ashpër të sportit, pasi shumë boksierë të njohur refuzojnë t’ua japin mundësinë boksierit perspektiv.

“Kur nisa si profesionist, mendova se nëse je i mirë mjaftueshëm për kampion bote, do të bëhesh kampion bote, por kjo nuk mjafton”, thotë Itauma.

“Ka prej atyre që nuk duan të ndeshen me mua sepse është situatë humbje-humbje. Kushdo që është kundërshtari, është kundërshtar që mund të zgjidhet nga njerëzit apo promotorët, por jo nga unë”.

Mst: Davison thotë se Itauma ka të ardhme të ndritur

Trajneri i Itaumas, Ben Davison, njeh gjëra të kategorisë së peshës së rëndë, pasi kishte udhëhequr drejt titullit të botës më parë Anthony Joshuan e Fabio Wardleyn.

Davison po ashtu e ka parë rikthimin e Tyson Furyt, me të cilin Itauma ka bërë sparing disa herë.

“E kam pyetur atë, nëse të jepet mundësia për titull a do të ishte me mua dhe ai tha po. Por, pa dyshim se duhet të jesh në pozitë të mirë për ta pasur atë mundësi”, thotë Davison.

“Është gjë e mirë të jesh përreth kampionëve të botës, por qartë se ata nuk hyjnë në ring për ne. Në fund të fundit, janë boksierët ata që luftojnë”.

Ambiciet e Davisonit duket se përputhen me shpresat e mëdha të boksierit Moses, të cilin e ka përshkruar si të talentuar, i lehtë për t’u stërvitur, i uritur për sukses dhe i gatshëm për t’u përballur me secilin në këtë divizion.

“Nëse ai fokusohet vetëm në punë, e ka potencialin për t’u bërë njëri prej boksierëve më të mirë të peshës së rëndë”, shton Davison.