Bashkimi e Peja takohen në derbin e fundit të vitit në Superligën e Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ndërsa i takon xhiros së 14-të të elitës së basketbollit.

Por ndeshja do të luhet pa shikues në tribuna. Bashkimi është dënuar me një ndeshje pa shikues, pasi tifozët e klubit prizrenas tentuan të sulmojnë fizikisht arbitrat pas fundit të takimit me Golden Eagle Yllin.

Mungesa e shikuesve mund ta bëjë më të lehtë për Pejën, por skuadrën e verdhë megjithatë e pret udhëtim sfidues për në qytetin e vjetër.

Bashkimi është i dyti në tabelë me 22 pikë, një më pak se liderja, Trepça. Prizrenasit në xhiron e kaluar fituan 83:73 në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës. Me Yllin kishin pësuar në shtëpi, 72:69, në kuadër të xhiros së 12-të.

Peja ndërkohë është në moment shumë të mirë – pas fitores ndaj lideres, Trepçës. Skuadrën mitrovicase, pejanët e mposhtën 65:64, në kuadër të xhiros së kaluar. Peja ka fituar edhe në kuadër të xhiros së 12-të, 86:71, ndaj Sigal Prishtinës.

Ndaj Trepçës te Peja debutoi trajneri slloven Sebastjan Krasovec. Ai është trajneri i tretë këtë edicion në ekipin pejan. Peja është e treta me 20 pikë, ndërsa synon tjetër fitore për t’u afruar edhe më shumë me skuadrat e kreut.

Po të shtunën, prej orës 19:00, është ndeshja Trepça – Bora. Kjo ndeshje zhvillohet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. “Xehetarët” planifikojnë të reagojnë pas humbjes nga Peja, ndërsa skuadra prishtinase, Bora, shpreson të vazhdojë formën e mirë.

Bora të mërkurën e befasoi Sigal Prishtinën, duke e mposhtur me rezultat 81:76. Ajo ndeshje ishte e mbetur dhe i takoi xhiros së nëntë. Madje fitoren Bora e arriti me vetëm tetë lojtarë në përbërje, prej të cilëve vetëm një i huaj.

Në xhiron e 13-të Bora ftoi ndaj Proton Cable Prizrenit e në xhiron e 11-të e mposhti Bashkimin. Tani i ka 17 pikë në vendin e shtatë, përkatësisht të parafundit.

Të dielën janë ndeshjet Vëllaznimi – Sigal Prishtina dhe Proton Cable Prizreni – Golden Eagle Ylli.
Nga ora 17:00, Vëllaznimi synon ta shfrytëzojë krizën e Prishtinës dhe të fitojë dy pikë të mëdha. Vëllaznimi është i gjashti me 19 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vendin e pestë.

Ndërkohë Ylli i Suharekës vlerësohet favorit ndaj Prizrenit në ndeshjen që fillon në ora 19:00 dhe e mbyll xhiron.

Ylli është i katërti me 20 pikë, ndërsa Proton Cable Prizreni renditet në vendin e fundit me 16 pikë.

Superliga në basketboll – XIV

E shtunë

Bashkimi – Peja (17:00)
Trepça – Bora (19:00)

E diel

Vëllaznimi – Sigal Prishtina (17:00)
Proton Cable Prizreni – Golden Eagle Ylli (19:00)

1. Trepça    13    23
2. Bashkimi    13    22
3. Peja    13    20
4. G.E. Ylli    13    20
5. S. Prishtins    13    19
6. Vëllaznimi    13    19
7. Bora    13    17
8. P.C. Prizreni    13    16