Më 27 shkurt 2008, Zvicra e njohu shtetin e Kosovës. Më 4 mars 2008 vendimin për ta njohur Kosovën e mori Suedia. Prej 5 marsit të vitit 2008 shtetin e Kosovës e njeh edhe Sllovenia.
Me përfaqësueset e këtyre tri shteteve do të përballet Kosova në kualifikimet e Kupës së Botës 2026 në futboll. Vetëm për herë të dytë nuk do të ketë ndërlikime e zhvillime të natyrës politike në një kampanjë kualifikuese të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Pra fokusi do të jetë vetëm në futboll, që nuk ka ndodhur gjithnjë deri më tani.

Shorti i kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 është tërhequr të premten në Cyrih. Kosova i nis kualifikimet më 5 shtator 2025, kur e luan ndeshjen në udhëtim ndaj Zvicrës. Atmosfera,  të paktën te shikuesit, pritet të jetë e relaksuar. Shumë shqiptarë jetojnë në Zvicër dhe shumica e shikuesve në stadium mund të jenë shqiptarë. Tri ndeshjet e kaluara mes Kosovës e Zvicrës kanë kaluar pa asnjë telashe dhe njëjtë pritet të jetë edhe në dy ndeshjet e vitit të ardhshëm.

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Benjamin Huggel, ka folur për atmosferën miqësore në ndeshjet Zvicër – Kosovë. 

“Qartë se Kosova është ekip i fortë nga vazoja e katërt. Në të kaluarën gjithnjë kemi barazuar me Kosovën dhe gjithnjë kam pasur ndjenjën që në fund të ndeshjeve të dy palët ishin të kënaqura me këtë. Gjithnjë ka pasur pak atmosferë miqësore. Sfidë është të dilet në fushë me ‘thikën mes dhëmbëve dhe të thuhet, hej, ne absolutisht duhet të marrim gjashtë pikë’. Do të jetë sfidë, por shpresoj se mund ta pranojnë këtë dhe ta implementojnë me sukses”, ka thënë Huggel.

Zvicra është favorite e grupit. Në short ishte në vazon e parë. Suedia ishte në të dytën, Sllovenia në të tretën e Kosova në të katërtën. 

Edhe ndeshjet e kaluara me Suedinë e Slloveninë nuk mbahen mend për ndonjë zhvillim të natyrës politike. Në Kosovë nuk mbahen mend as për ndonjë rezultat. Me këto dy përfaqësuese, Kosova ka vetëm humbje.

Kosova për herë të tretë do të paraqitet në kualifikimet për Kupën e Botës në futboll.

Në kampanjën e parë, atë për “Botërorin 2018”, Kosova e kishte në grup Ukrainën. Ukraina nuk e ka njohur dhe vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës. Madje deri vonë në Ukrainë nuk janë lejuar të hyjnë sportistët e Kosovës. Në vitin 2016 ndeshja Ukrainë – Kosovë ishte zhvilluar në terren neutral, përkatësisht në Poloni.

Në kualifikimet për “Botërorin 2022”, Kosova ishte në grup me tri vende mosnjohëse: Spanjën, Greqinë, Gjeorgjinë. Kishte diskriminim të madh në Spanjë, sa i takon mënyrës së prezantimit të Kosovës. 

Në kualifikimet e para për Evropian, atë të vitit 2020, Kosova ishte në grup më “miqësor”, me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi. Të gjitha këto shteti e njohin shtetin e Kosovës.

Në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova ishte në grup edhe me Rumaninë e Bjellorusinë, që  vazhdojnë të mos e pranojnë shtetin e Kosovës. Dy ndeshjet me Rumaninë u përcollën me probleme të tifozëve. Ndeshja me Bjellorusinë u zhvillua në Budapest të Hungarisë. Bjellorusët të gjitha ndeshjet si vendës i luajtën në terren neutral, sipas një vendimi të UEFA-s.

Në katër kampanjat e deritashme në Ligën e Kombeve, “Dardanët” kishin në grup përfaqësuese të vendeve mosnjohëse.

Në edicionin e parë, 2018/19, ishte Azerbajxhani. Në edicionin 2020/2021, ishin Greqia e Moldavia. Madje Moldavia e organizoi ndeshjen në Parma të Italisë. Në edicionin 2022/2023 të Ligës së Kombeve, Kosova i kishte në grup Greqinë dhe Qipron. 

Dhe në kampanjën 2024/2025, që përfundoi më 18 nëntor, Kosova në grup kishte Rumaninë e Qipron. Kishte pano fyese ndaj Kosovës në Qipro e telashe të shumta në dy ndeshjet me Rumaninë. Ndeshja e 15 nëntorit në Rumani u ndërpre në minutat shtesë, kur lojtarët e Kosovës braktisën fushës pasi u dëgjuan thirrjet “Serbi, Serbi”. UEFA e regjistroi me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, ndërsa FFK-ja ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. 

Zhvillime të kësaj natyre nuk priten në kualifikimet për Botërorin në SHBA, Meksikë e Kanada. Fokusi do të jetë te shfaqja në fushën e gjelbër.