Sigal Prishtina i është bashkuar Trepçës në gjysmëfinale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar, pas fitores shumë të vështirë ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e tretë.
Të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Sigal Prishtina fitoi me rezultatin 86:82, pas vazhdimit prej pesë minutash. Ndeshja ishte dramatike. Pjesën më të madhe të ndeshjes e dominoi Sigal Prishtina, por Vëllaznimi i trajnerit Jeronimo Sharin, u kthye në momentet vendimtare dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime.
15 sekonda pa u mbyllur e gjithë ndeshja, Jericole Hellems i shënoi të dy gjuajtjet e lira për 74:74.
Në aksionin vijues, katër sekonda para fundit, Jordan Davis i Sigal Prishtinës u ndal në mënyrë të palejuar. I humbi të dy gjuajtjet e lira por regjistroi kërcim në sulm. Megjithatë, edhe tentimin tjetër që e pati nuk ishte i suksesshëm dhe ndeshja shkoi në vazhdimin prej pesë minutash.
Sigal Prishtina e udhëhequr nga spanjolli Paco Olmos shpejtë krijoi seri prej 8:0, për 82:74. Edhe mysafirët patën moment të mirë duke e afruar rezultatin në tri pikë, 80:83, por pa arritur që të bënin diçka më shumë.
Me këtë fitore Sigal Prishtina ka siguruar gjysmëfinalen me Trepçën, pasi serinë e çerekfinaleve ndaj skuadrës gjakovare e fitoi 2:1.



























