Vlerë Qerimi do të shpallet sportistja më e mirë e vitit 2024 në karate.

Çmimi i trajneres më të mirë të vitit do t’i takojë Fortesa Oranës. Orana është garuese aktive, por edhe trajnere e Qerimit.

Ajo ka konkurruar për trajnere të vitit dhe këtë çmim e ka fituar në bazë të rezultateve të Vlerë Qerimit, nxënëses së saj.

“Trajnerin apo trajneren e vitit e tërheq sportisti i vitit”, shkruan në njërën prej vendimeve të miratuara gjatë mbledhjes së Bordit të Federatës së Karatesë të Kosovës të mbajtur të martën.

KOHA ka siguruar vendimet që janë marrë nga Bordi i FKK-së e që u janë dërguar klubeve.

Vlerësimin e më të mirëve për vitin 2024 e ka bërë një komision i përkohshëm  i përbërë nga Nazmi Gashi, Naim Shatri, Gazmend Havolli, Bashkim Ibrahimi dhe Shkëlzen Berisha.

Ceremonia e shpalljes së më të mirëve në karate do të mbahet të hënën, më 30 dhjetor nga ora 18:00, ka vendosur Bordi i Federatës.

Pas Qerimit në dhjetëshen më të mirë u radhitën Redona Gashi, Behije Mustafa, Elmedina Istogu, Alma Loki, Benjamin Shabani, Artiol Shaqiri, Valëza Gashi, Rona Emërllahu dhe në vendin e dhjetë Anila Foniqi.

Pra ka një dominim të madh të karateisteve në dhjetëshen më të mirë. Kjo dëshmon që rezultatet e tyre ishin dukshëm më të mira se të karateistëve.

“Viti 2024 ka qenë një vit që shënoi arritje të jashtëzakonshme në karrierën time sportive. Vendi i pestë në Evropë, medalje ballkanike, titulli i nënkampiones mesdhetare në ekip dhe renditja në top-5 në botë me ekipin janë rezultate që pasqyrojnë përkushtimin dhe punën time të palodhur. Përzgjedhja si karateiste më e mirë e vitit 2024 është një nder i madh dhe një motiv për të vazhduar me synime edhe më të mëdha. Viti 2025 na pret me gara dhe suksese të radhës”, ka thënë Qerimi për KOHËN.

“Është hera e parë që vlerësohem si trajnerja më e mirë e vitit dhe jam shumë e lumtur që po dëshmohen sukseset tona edhe pse ende jam garuese që pretendoj majat e këtij sporti. Por unë dhe Vlera jemi një dyshe shumë e fortë. Ne i ndihmojmë njëra-tjetrës. Kemi arritur së bashku suksesin historik që ishte vendi i tretë në botë dhe ia kemi dalë në çdo aspekt. Synimet tona janë ende të mëdha dhe po shpresoj që është vetëm fillimi për mua si trajnere”, ka thënë Orana. Ajo drejton klubin “Forte’s”.

Sharri nga Ferizaj  ka fituar në të gjitha kategoritë çmimin e klubit më të mirë të vitit 2024.

Punëtorë sportivë janë zgjedhur Isak Curri dhe Qëndrim Shaqiri. Besart Vitia, i propozuar nga Bordi, është dalluar te referët.

Një prej pikave të diskutimit në mbledhje të Bordit ka qenë edhe ndalimi për 48 orë i dy zyrtarëve të Federatës së Karatesë së Kosovës.

Është analizuar situata e brendshme e FKK-së.

“Sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi, raportoi para anëtarëve të Bordit lidhur me ndalimin policor për 48 orë të tij dhe zyrtares së financave pranë FKK-së, Fikrete Shala Mjeku, duke sqaruar pretendimet e prokurorisë kinse zyrtarët e FKK-së kanë kryer veprën penale ‘Mashtrim me Subvencione’”, shkruan në raportin e Bordit të FKK-së.

Policia e Kosovës javën e kaluar pati njoftuar se dy zyrtarë të FKK-së ishin ndaluar  për 48 orë, ndërsa një tjetër ishte liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Tre personat dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS-së në vlerë prej 87 mijë e 463 eurosh.