Kosova ende figuron si njëra prej vendeve anëtare të “International Boxing Association”, e njohur shkurt si IBA. Por jo edhe shumë gjatë.
Bordi i Federatës së Boksit të Kosovës ka vendosur që të largohet nga IBA dhe të bëhet pjesë e një tjetër organizate botërore që merret me organizimin e garave të boksit amator. Vendimi i Bordit duhet të miratohet në Kuvendin e Federatës së Boksit të Kosovës, por ky më shumë është formalitet.
Kështu Kosova bëhet pjesë e përplasjeve globale që kanë të bëjnë me boksin amator, përkatësisht me boksin olimpik.
IBA, më parë e njohur si AIBA, është organizata tradicionale botërore e boksit amator. Është themeluar në vitin 1946 dhe ende është organizata me numrin më të madh të vendeve anëtare. Por IBA është në konflikt të hapur me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
IOC-ja nuk e njeh IBA-në. E tërhoqi njohjen e kësaj federate gjatë vitit të kaluar, “për mungesë të progresit të mjaftueshëm në adresimin e shqetësimeve për qeverisje, financa dhe korrupsion”. Për shumë vjet, IBA-ja ishte e suspenduar nga IOC-ja, që është organizata kryesore sportive në botë.
Paraqitja e boksit në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” është në dyshim të madh. Aktualisht boksi nuk është pjesë e programit për LA 2028. IOC-ja ka kërkuar të themelohet një federatë e re globale e boksit amator, në mënyrë që boksi të mbetet në programin olimpik.
Kjo federatë është themeluar më 13 prill të vitit 2023. Njihet si “World Boxing” (WB) por deri më tani ka pasur vështirësi për të rritur ndikimin, përkatësisht që të shtrihet në gjithë botën.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ndalë përpjekjet për të forcuar këtë organizatë dhe rrjedhimisht të dobësojë IBA-në.
Zyrtarë të IOC-së, që qëndruan në Kosovë këtë javë për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, kanë pyetur se kur Federata e Boksit e Kosovës do të kalojë nga IBA në WB. Federatës së Boksit të Kosovës i është kërkuar, madje edhe i është bërë presion, të bëjë këtë lëvizje edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Federata kosovare financohet plotësisht nga MKRS-ja. Ndërkohë MKRS-ja, e natyrisht edhe KOK-u, u përmbahen plotësisht qëndrimeve të IOC-së. Rrjedhimisht edhe i është kërkuar për shumë muaj Federatës kosovare të Boksit që të largohet nga IBA-ja dhe të kalojë në World Boxing.
IBA-ja drejtohet nga rusi Umar Kremlev. Ndonëse në konflikt me IOC-në, Kremlevi ka siguruar buxhet të madh për IBA-në, falë marrëveshjeve të sponsorizimit me kompaninë e fuqishme ruse, Gazprom. Për shkak të përkrahjes financiare që ofron IBA, shumë federata nacionale kanë refuzuar të largohen nga IBA për të bërë vend në World Boxing.
Por IOC-ja nuk po ndal presionin dhe kjo po sjell rezultate.
World Boxing të premten njoftoi se ka arritur në shifrën e 60 anëtarëve.
“World Boxing ka arritur shifrën prej 60 anëtarëve pasi aplikimet për anëtarësim nga federatat nacionale të Kamboxhias, Republikës Dominikane, Jordanisë, Mianmarit dhe Palestinës janë aprovuar nga Bordi Ekzekutiv më 12 dhjetor”, shkruan në njoftimin e WB.
Kjo federatë tashme ka nisur me organizimin e garave, por që nuk e kanë ende ndikimin e madh.
Vlerësohet me peshë të madhe secili anëtarësim, sidomos nga federatat evropiane.
Andorra, Belgjika, Çekia, Danimarka, Anglia, Finlanda, Gjermania, Britania e Madhe, Islanda, Italia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Suedia, Skocia e Uellsi kanë kaluar tashmë në World Boxing.
Në janar lëvizjen pritet ta konfirmojë Kosova. Ka mbetur të konfirmohet edhe kalimi i Kroacisë, që tashmë është vendosur, ndërsa shpejt do të lëvizë edhe Bullgaria.
“Bordi Ekzekutiv i Federatës së Boksit të Kosovës vendosi njëzëri të largohet nga Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA), e cila është suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, dhe të anëtarësohet në ‘World Boxing’. Propozimi i Bordit i dërgohet Kuvendit të rregullt vjetor të FBOXK, që do të mbahet në muajin janar. ‘World Boxing’ është federatë e re ndërkombëtare e cila ka mbështetjen e fuqishme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të mbetur boksi në programin e Lojërave Olimpike ‘Los Angeles 2028’”, shkruan në njoftimin e Federatës së Boksit të Kosovës.
Boksi amator ka shumë vjet që është në krizë të thellë. Ndër të tjera për shkak të këtyre përplasjeve, por edhe për faktin që rregullat nuk janë strikte si më parë, ndërsa tashmë mundësohet edhe lëvizja nga boksi profesional në boksin amator.
Në dy Olimpiadat e fundit, garat e boksit, duke përfshirë ato të kualifikimeve, janë organizuar nga IOC-ja e jo nga IBA-ja. Në të gjitha sportet e tjera garat organizohen nga federatat ndërkombëtare të sporteve përkatëse.