Pas një jave, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave do ta mësojë kundërshtarin e fazës së fundit të kualifikimeve për Botërorin 2025. Kampionati Botëror i hendbollisteve mbahet në Gjermani e Holandë, ndërsa shorti i fazës së dytë të kualifikimeve evropiane tërhiqet më 15 dhjetor në Vjenë.
Gjermania dhe Holanda si nikoqire dhe Franca si kampione në fuqi, kualifikohen direkt për Botëror. Do të kualifikohen direkt edhe tri përfaqësueset më të mira të Kampionatit Evropian që është duke u mbajtur aktualisht.
Në short, Kosova do të jetë në vazon e dytë. Rrjedhimisht do të jetë autsajdere.
Në vazon e parë do të jenë 11 prej këtyre 14 ekipeve përfaqësuese: Danimarka, Hungaria, Mali i Zi, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Spanja, Austria, Çekia, Islanda dhe Ishujt Faroe. Tri do të kualifikohen direkt në Botëror, varësisht nga rezultati që kanë në Evropian.
Në vazon e dytë do të jenë Maqedonia e Veriut, Kroacia, Turqia, Serbia, Portugalia, Ukraina, Sllovakia, Izraeli, Italia, Kosova dhe Lituania.
Kosova do të përballet me një përfaqësuese të vazos së parë. Ekipi më i suksesshëm pas dy ndeshjeve kualifikohet në Botëror.
Ndeshjet luhen më 9 e 10 dhe 12 e 13 prill të vitit të ardhshëm. Përmes shortit do të përcaktohet përfaqësuesja që do të jetë vendëse në ndeshjen e parë.
Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë kualifikuese për Botërorin e ardhshëm. Më 25 tetor fitoi 32:28 ndaj Belgjikës, ndërsa më 26 tetor e mposhti Bosnjë-Hercegovinën, 32:26. Ndeshjet u luajtën në Hasselt të Belgjikës.
Ende asnjë përfaqësuese e Kosovës në nivelin e të rriturve nuk është kualifikuar në Botëror.
“Shpresojmë të kemi fat në short. Në vazon e parë janë disa përfaqësuese që kanë cilësi të nivelit më të lartë, por edhe disa të tjera që vlerësojmë se mund të përballohen nga vajzat tona. Shumë do të varet nga shorti. Nëse shmangim përfaqësueset më të mëdha, atëherë i gjithë fokusi do të jetë te kualifikimi historik në Botëror. Me hendbollistët deri 21 vjet dhe hendbollistet deri 18 vjet tashmë kemi garuar në Botëror. Tani synojmë hapin e madh tutje – kualifikimin në Botëror me të rriturat”, ka thënë Muhamet Arifi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.