Ka përfunduar me incident derbi i xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit. Me të përfunduar ndeshja në parket kanë vrapuar disa tifozë vendas, ndërsa lojtarët e Yllit janë larguar shpejt në drejtim të zhveshtores. Kanë ndërhyrë edhe forcat e sigurisë.

Ylli e ka fituar me rezultat 72:69 ndeshjen me fund dramatik, të zhvilluar të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Bashkimi i kishte 13 sekonda për aksionin e fund. Por Lejson Zeqiri e humbi topin dhe kështu festa, ndonëse e shkurtër, ishte për suharekasit.

Bashkimi e fitoi çerekun e parë me rezultat 20:16. Çereku i dytë përfundoi 16:15 për Yllin. Kështu rezultati pas pjesës së parë ishte 35:32 për vendasit. Tri pikë dallimi ishte edhe pas çerekut të tretë, 55:52.

Bashkimi u shkëput 62:52 në fillim të çerekut të katërt, por suharekasit realizuan seri 10:0 për 62:62. Dy minuta para fundit, Bashkimi ishte në epërsi 69:65. Ylli barazoi në 69:69, e më pas kaloi në epërsi 70:69 e 72:69. Dhe shifrat më nuk ndryshuan.

Fundori Quade Green i shënoi 30 pikë për Yllin, duke përfshirë edhe pikët vendimtare në ndeshje. Jalen Nesbitt i kishte 15 pikë, gjashtë topa të rrëmbyer e katër kërcime. Hasahn French i kishte shtatë pikë, dhjetë kërcime e katër topa të rrëmbyer.

Lejson Zeqiri ishte më i miri te Bashkimi me 15 pikë e tetë kërcime.

Jayveous Mckinnis i kishte nëntë pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Altin Morina shtoi 11 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.

Bashkimi mbetet i treti, por tani me 20 pikë, dy më pak se Trepça. Golden Eagle Ylli doli në vendin e tretë me 19 pikë.