Të mërkurën zhvillohen katër ndeshjet e xhiros së parë të Ligës Unike në basketboll në konkurrencë të meshkujve.
Në Tiranë, nga ora 17:00 takohen Besëlidhja e Bashkimi i Prizrenit. Në Durrës, nga ora 18:00 luajnë Teuta e Vëllaznimi i Gjakovës. Nga ora 19:00, Sigal Prishtina takohet me Vllazninë e Shkodrës, ndërsa në Suharekë, po nga ora 19:00 përballen Golden Eagle Ylli e Tirana. Prishtina është vendëse, por ndeshja zhvillohet në Shkodër, sipas faqes zyrtare të Ligës Unike, e në Prizren, sipas njoftimit të klubit prishtinas.
Pra, katër skuadra janë nga Kosova e katër nga Shqipëria. Por nuk është kampionia në fuqi, Trepça.
Nuk është as Peja, skuadra tjetër e madhe në basketbollin kosovar. Peja vjet ishte ndalur në gjysmëfinale.
Liga Unike ishte prezantuar si projekt madhor dhe shumë i rëndësishëm për basketbollin në Kosovë e Shqipëri. Por prej themelimit ka mbetur në nivel jo të synuar dhe kështu pritet të jetë edhe edicioni i ri, që për skuadrat kosovare nis të mërkurën.
Edicioni i parë i Ligës Unike ishte ai 2020/2021. Ishte zhvilluar në formë turneu, brenda një jave, dhe kishte fituar Ylli. Edicionin e dytë e kishte fituar Peja. Është edicioni më i mirë deri më tani. Në nëntor të vitit 2022, Liga Unike ishte pezulluar pasi u tërhoqën klubet nga Shqipëria. Edicioni 2022/2023 nuk u zhvillua fare. Edicioni 2023/2024 sërish u zhvillua në formë turneu, në Vlorë. Trepça në finalen dramatike e kishte mposhtur Yllin.
Në edicionin e ri janë formuar dy grupe. Në Grupin A janë Besëlidhja, Teuta, Bashkimi dhe Vëllaznimi.
Në Grupin B janë Ylli, Prishtina, Tirana e Vllaznia. Por jo të gjitha ndeshjet nëpër grupe do të zhvillohen.
“Ndeshjet do të zhvillohen në sistem vajtje-ardhje dhe dy klubet të renditura në pozitën 1 dhe 2, të secilit grup do të kualifikohen në Final Four Liga Unike 2025, që do të zhvillohet në Kosovë. Rezultatet e ndeshjeve ndërmjet klubeve të Kosovës do të llogariten nga duelet mes tyre në Superligë nga raundi i dytë dhe i tretë i garave”, shkruan në njoftimin e Ligës Unike.
Ndërkohë klubet e Shqipërisë do të zhvillojnë ndeshjet mes tyre në Ligën Unike ndaras atyre nga kampionati i Shqipërisë.
Ndonëse në program të mërkurën është xhiroja e parë, tashmë janë luajtur ndeshje të Ligës Unike. Në kuadër të grupit A, Besëlidhja më 5 dhjetor fitoi 89:67 ndaj Teutës. Rezultati i ndeshjes Vëllaznimi – Bashkimi (86:67) tashmë është bartur në Ligën Unike.
Në Grupin B, Tirana fitoi ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 88:81, më 4 dhjetor. Është bartur rezultati i ndeshjes së Kampionatit të Kosovës, Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli, 93:89.
Liga Unike zhvillohet edhe te basketbollistet. Janë gjashtë skuadra, tri nga Kosova e tri nga Shqipëria, ndërsa niveli vlerësohet më i përafërt. Tashmë janë zhvilluar disa xhiro. Por edhe te basketbollistet ka gjëra të veçanta. Për shembull, ekipet nga Kosova e ato nga Shqipëria nuk e kanë të lejuar numrin e njëjtë të lojtareve të huaja. Kjo për faktin se vlejnë rregullat e dy federatave nacionale.
Deri në edicionin e kaluar, skuadrat kosovare janë paraqitur edhe në Ligën Ballkanike. Por kjo ligë në vitet e fundit mezi mbijetoi dhe humbi plotësisht shkëlqimin. Edicioni i ri nuk ka nisur ende, ndërsa udhëheqësi i kësaj lige, Shay Shtriks, ka paralajmëruar fillimin në vitin 2025. Mbetet të shihet nëse kjo ligë do të fillojë dhe nëse në të do të paraqiten klubet kosovare.
Klubet kosovare ende nuk lejohen në Ligën e Adriatikut, që është dukshëm më cilësore. Ndërkohë Trepça e Peja janë paraqitur në gara evropiane.