Liverpooli edhe në një tjetër ndeshje të Premier Leagues e ka epitetin e favoritit. Një tjetër fitore në xhiron e 18-të të elitës së futbollit anglez do ta mbante diferencën e pikëve të njëjtë me ndjekësit. Trepikëshi do të mund të krijonte diferencë edhe më të madhe, varësisht prej rezultateve të skuadrave që e rivalizojnë në garën për titull.
Liverpooli të enjten nga ora 21:00 luan përballë Leicester Cityt. Të enjten e të premten do të luhen ndeshjet e kësaj xhiroje.
Liverpooli është i pari me 39 pikë në 16 ndeshje. Me një ndeshje më shumë të luajtur në vendin e dytë është Chelsea që ka 35 pikë, dy më shumë se Arsenali i treti e katër më shumë se Nottingham Foresti i katërti.
Dy skuadrat e Manchesterit që po kalojnë momente të vështira, kampioni City dhe Unitedi, përballen me Evertonin, përkatësisht Wolverhamptonin.
City e hap javën e 18-të të enjten nga ora 13:30, ndërsa Unitedi nga ora 18:30 luan në udhëtim te Wolvesi.
Liverpooli është në vendin e parë gjatë periudhës së Krishtlindjes që prej edicionit 2020/21 dhe synon të mbetet aty deri në fund të kampanjës.
Por kjo nuk garanton titullin, pasi deri në fund ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Këtë e ka thënë edhe vetë trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.
“Jemi pranë përfundimit të pjesës së parë të sezonit dhe atëherë do ta kemi idenë e qartë se ku jemi në përgjithësi. Për këtë arsye unë vazhdimisht kam thënë se gjykimet para kësaj faze të kampionatit nuk janë të sakta”, ka deklaruar tekniku holandez.
“Të kuqtë” fituan thellë 6:3 të dielën në udhëtim te Tottenhami, pas dy barazimeve të njëpasnjëshme.
Në stadiumin e zjarrtë në “Anfield”, Liverpooli sërish do të mbështetet tek aftësitë e sulmuesit egjiptas, Mohamed Salah.
Salah është bërë futbollisti i parë në histori të Premier Leagues që ka shënuar 15 gola dhe 11 asistime, pra shifra të dyfishta në të dyja statistikat, para festës së Krishtlindjes.
Nga ana tjetër, Leicesteri fitoi ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Ruud van Nistelrooy më herët gjatë këtij muaji, por në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë, duke pësuar nëntë gola.
Për më shumë, “dhelprat” nuk kanë fituar në “Anfield” që prej vitit 2000, ndërsa aktualisht janë në pozitën e 17-të me 14 pikë, dy më shumë se zona që dërgon një kategori më poshtë në futbollin anglez.
Arsenali do të mundohet që të marrë pikët e plota në fundjavë ndaj skuadrës ku portier është ai i Kosovës, Arijanet Muriq.
Ndeshja Arsenal – Ipswich e mbyll xhiron të premten me ndeshjen që nis në orën 21:15.
Por këtë duhet ta arrijë pa njërin prej lojtarëve më të mirë, Bukayo Saka, i cili u lëndua në “Selhurst Park” ndaj Crystal Palacet, në fitoren 5:1 të shtunën. Ai ka lëndim muskulor.
Është goditje e madhe për trajnerin Mikel Arteta, pasi Saka ka nëntë gola të shënuar e 13 asistime në të gjitha garat.
“Do të jetë test i vështirë për të gjithë ne për ta kaluar këtë sfidë, por ne tashmë jemi përballur me situata të ndryshme këtë sezon”, ka thënë trajneri i Arsenalit që zë vendin e tretë.
Vendin e Sakas pritet ta zërë Gabriel Martinelli.
Tifozët e Nottingham Forestit ëndërrojnë që ta sigurojnë avancimin në Ligën e Kampionëve, pas më shumë se 40 vjetëve që kur kanë luajtur për herën e fundit në garën elitare kontinentale për klube.
“Nuk e di kurrë se çfarë mund të ndodhë. Kemi lojtarë të mirë, po shohim shumë gola dhe po pranojmë shumë”, ka deklaruar trajneri i Nottinghamit, Nuno Espirito Santo.