Dy alarme për sulm ajror në rajonin e Kievit kanë shtyrë fillimin e pjesës së parë dhe pjesës së dytë të ndeshjes Kolos–Obolon.

Pjesë e ndeshjes që përfundoi pa gola, të dielën, ishte edhe mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi. Krasniqi luajti deri në minutën e 84-t për Kolos Kovalivkan që priti Obolonin në kuadër të xhiros së 16-të të Premier Leagues së Ukrainës.

Ndeshja nisi me gati dy orë vonesë. Ukraina ende po përballet me pushtimin rus dhe të dielën sërish u lëshua alarmi për sulm ajror në rajonin e Kievit. Kjo bëri që ndeshja të niste me vonesë.

“Një alarm për sulm ajror është lëshuar në rajonin e Kievit. Forcat Ajrore raportojnë kërcënimin e përdorimit të dronëve sulmues”, shkroi sajti “ua-football.com”.

Kishte dilema nëse ndeshja në stadiumin “Kolos” në Kovalivka do të gjente fundin. Pas përfundimit të pjesës së parë, pati sërish alarm për sulm ajror dhe pjesa e dytë po ashtu nisi me vonesë të madhe.

“Paralajmërimi për sulm ajror është hequr në rajonin e Kyivit. Ndeshja vazhdon”, shkruajti më pas sajti ukrainas.

Lojtarët, si para fillimit të ndeshjes, ashtu edhe pas përfundimit të pjesës së parë, qëndruan të mbyllur në dhomat e zhveshjes deri në sinjalin se siguria është e duhur për t’u zhvilluar ndeshja.

“Nëse para ndeshjes ka alarm për sigurinë e njerëzve nuk dalim deri të ndalet dhe të shohin që ka siguri për t’u zhvilluar ndeshja. Ne qëndrojmë brenda dhomave të zhveshjes. Ne qëndrojmë gati. Alarmi ka qenë për regjionin, pasi nga ne nuk ka pasur, por për siguri nuk na lejonin të dilnim”, ka thënë Krasniqi për KOHËN pas ndeshjes.

Kolos Kovalivka është në vendin e 12-të me 15 pikë.

Në kampionatin elitar të Ukrainës luajnë edhe Muharrem Jashari, Hajdin Salihu e disa lojtarë të tjerë shqiptarë.

Jashari e Salihu luajnë për Cherkasyn.

Krasniqi 24-vjeçar iu bashkua Kolosit në shtator nga skuadra e Llapit.