Peja dhe Sigal Prishtina brenda 11 ditëve janë takuar tri herë, në çerekfinale të Kupës së Kosovës dy herë dhe një herë në Superligën e Kosovës. Peja të mërkurën u eliminua nga gara e Kupës nga skuadra kryeqytetase, por të shtunën iu revanshua “bardhekaltërve”.
Ndeshjen e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës, të zhvilluar në palestrën “Karagaçi”, “verdhezinjtë” e fituan me rezultatin 86:71.
Pejën në këtë ballafaqim e udhëhoqi ndihmëstrajneri spanjoll, Diego Garcia Velasco, i cili e zëvendësoi të shkarkuarin Daniel Nelson.
Nelson menjëherë pas eliminimit nga Kupa, u largua nga posti i trajnerit të Pejës.
Ndeshja në “Karagaçi” u dominua nga vendësit, të cilët krijuan epërsi të lartë në pjesën e parë dhe më pas vetëm e administruan mirë lojën për fitoren e radhës.
Me fitoren e realizuar të shtunën, Peja tani ka gjashtë fitore e po aq humbje dhe ka 18 pikë, një më shumë se Sigal Prishtina që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Prishtinasit kanë gjashtë fitore e pesë disfata.
Në pushimin e gjatë, Peja shkoi me epërsi prej 12 pikëve, 46:34.
Peja e fitoi çerekun e parë 23:19, kurse të dytin 23:15.
Me rezultatin 20:16 u mbyll periudha e tretë, ndërsa dhjetëminutëshin e fundit e fitoi Sigal Prishtina 21:20, por pa e rrezikuar fitoren e nikoqires.
Jonathan Galloway ishte më i miri te Peja në fitore duke realizuar dyshifror të dyfishtë prej 11 pikëve e 18 kërcimeve. Qendra pejane shtoi edhe një asistim.
Pas tij, statistikat më të mira i pati Tristan Ikpe, me 11 pikë, nëntë kërcime e dy asistime.
Arti Hajdari, Dardan Berisha dhe Danys Lukashov i patën nga 11 pikë të realizuara, ndërsa Amin Hot shtoi dhjetë pikë në fitore.
Te “bardhekaltrit” vetëm Rashad Williams kishte pikë dyshifore dhe ishte më i dalluari me plot 36 pikë. Ai e pati edhe një asistim.
Daniel Lekndreaj kishte shtatë pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, por nuk mjaftuan që Sigal Prishtina ta shmangë disfatën.
Në javën e 13-të, Peja luan në derbin ndaj Trepçës, që është kampione dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.
Sigal Prishtina ballafaqohet me Bashkimin.