Dhjetë vite më parë Komiteti Olimpik i Kosovës u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Me këtë rast në Kosovë po qëndron për vizitë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Bach tha në konferencë për media se Kosova është shembulli më i mirë se si brenda një kohe shumë të shkurtër mund të arrihen suksese të mëdha.
Ai ka theksuar se medaljet olimpike që Kosova i ka fituar me sportin e xhudos janë dëshmia e angazhimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në zhvillimin e sportit në vend.
“Këto dhjetë vite kanë dëshmuar histori suksesi në shumë aspekte. Sigurisht kemi pesë medalje olimpike që janë fituar, pastaj në tri Lojëra Olimpike Kosova ka marrë pjesë në to dhe për këtë i gjithë populli i Kosovës mund të jetë shumë krenar së bashku me Komitetin Kombëtar Olimpik sepse këto suksese nuk vijnë nga qielli por ka qenë fal punës së palodhshme”, ka thënë Bach.
“Unë ia kam shtrënguar dorën Majlinda Kelmendit në vitin 2015. Ka qenë një moment shumë i veçantë për mua dhe sigurisht që pres me padurim që ta shoh sonte, ta përqafojë dhe t’i ndajmë disa kujtime të mira nga triumfi i saj i madh dhe që do të jetë një moment shumë emocional për mua”, shtoi Bach.
Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos duke uruar drejtuesit e KOK ut për këtë përvjetor, theksoi se një sukses tjetër të madh Kosova e shënoi edhe vitin e kaluar kur fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Sipas tij, ky do të jetë një tjetër moment që Kosova të avancojë edhe më tutje në sport, sidomos duke ndërtuar infrastrukturë të re sportive por edhe të promovojë disiplina të reja të sporteve të ndryshme.
“Për të arriturat tuaja dua të iu përgëzojë për dhjetë vitet e të qenurit në lëvizjen tonë dhe për të gjitha sukseset që i keni pasur jo vetëm në sport me pesë medalje olimpike por edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës i cili ka marrë pjesë aktive në çdo ngjarje që e kemi organizuar…Do të jeni nikoqir te Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, kjo është e rëndësishme, një ligj i ri është miratuar, ai do të ndihmojë në ndërtimin e infrastrukturës, organizimin e kësaj ngjarje”, theksoi Capralos
Ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi theksoi se në këto dhjetë vite, të gjitha sukseset e arritura janë bërë edhe duke iu falenderuar mbështetjes dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare sportive.
“Po mos të kishim sukses në këto dhjetë vite që ne krenohemi sot me dhjetë medalje të arritura në Lojëra Olimpike e shumë medalje në Lojëra Mesdhetare e shumë medalje në lojëra botërore e evropiane nuk do të kishe qenë madhështor ky 10 vjetor, por ne e kemi bindur gjithë komunitetin e sportit se ne e duam sportin dhe mund të arrijmë gjithçka kur jemi të bashkuar”, deklaroi Krasniqi.
Para konferencës për media,. presidenti Bach ka takuar edhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Nga ky takim, Bach tha se ka dal i ngazëllyer me planet që qeveria ka për ta mbështetur zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.