Sigal Prishtina e Peja luajnë ndeshje vendimtare për vend në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Çerekfinalja e dytë e dy prej skuadrave kryesore në vend zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Prej këtij edicioni çerekfinalja, por edhe gjysmëfinalja e Kupës zhvillohet në dy ndeshje. Deri më tani i gjithë turneu i Kupës është zhvilluar në një vend, brenda një jave.

Ndeshja e parë çerekfinale mes Pejës dhe Prishtinës ishte dramatike. Në fund, të mërkurën e kaluar, fitoi Peja me rezultat 74:71. Rezultati i ngushtë i ndeshjes së parë e lë plotësisht të hapur sfidën. Prishtinës i duhet fitorja me katër apo më shumë pikë dallimi për kualifikim. Nëse Prishtina fiton me tri pikë dallim, atëherë luhet vazhdimi prej pesë minutash.

Ndeshja sërish pritet të jetë e hapur dhe e fortë.

Në Superligë dy skuadrat me nam nuk janë në momentin më të mirë. Prishtina është e katërta me bilanc prej gjashtë fitoresh e katër humbjesh. Ka një ndeshje më pak të luajtur. Peja është e pesta me pesë fitore e gjashtë humbje.

Në fundjavë asnjëra prej këtyre dy skuadrave nuk shfaqi formë të kënaqshme. Prishtina humbi në shtëpi nga Trepça me rezultat 81:68. Ndërkohë Peja u mposht në Suharekë nga Golden Eagle Ylli me rezultatin 92:84. Madje gjithë ndeshjen suharekasit kanë mbajtur epërsi shumë më të lartë.

Derisa gara për titull është larg përfundimit, Kupa është rrugë më e shkurtër për te trofeu. Dhe këtë rrugë synojnë ta bëjnë deri në fund si Prishtina ashtu edhe Peja. Por, vetëm njëra vazhdon pas të mërkurës mbrëma.

Në çerekfinalet e tjera pritet të ketë më pak realitet.

Të mërkurën prej orës 19:00 takohen edhe Trepça e Proton Cable Prizreni. Trepça ka fituar në qytetin e vjetër me rezultat 91:73 dhe nuk pritet të ketë telashe për kualifikim në gjysmëfinale.

Të enjten, nga ora 19:00, janë ndeshjet Bashkimi – Bora e Golden Eagle Ylli – Vëllaznimi.

Bashkimi e ka mposhtur Borën në Prishtinë me rezultat bindës, 88:66, në çerekfinalen e parë. Por në fundjavë prizrenasit sërish ishin në Prishtinë dhe humbën nga Bora në kuadër të Superligës.

Ndeshjen e parë mes Vëllaznimit dhe Yllit e fitoi ekipi gjakovar, 100:82. Por Ylli do ta synojë kthimin e madh në rezultat para tifozëve të tij.