Nuk ka më turne të Kupës së Kosovës në basketboll. Në vitet e kaluara fituesi i Kupës është caktuar përmes një turneu që është mbajtur në një palestër, brenda një jave, e në të cilin janë paraqitur të gjitha skuadrat e Superligës së basketbollistëve. Janë zhvilluar çerekfinalet, gjysmëfinalja dhe finalja. Vjet turneu i Kupës u zhvillua në Gjakovë.
Garë për Kupë natyrisht ka, por jo më në formë turneu.
Për Kupën e Kosovës konkurrojnë sërish tetë skuadrat e Superligës. Dhe ndeshjet për kupë do të luhen në palestrat dhe qytetet e ndryshme.
Çerekfinalja është e organizuar në dy ndeshje. Në ndeshjet e para, katër skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës janë vendase. Në ndeshjet e dyta, katër skuadrat e pjesës së epërme janë vendase. Çiftet janë caktuar përmes shortit, ndërsa u mor për bazë gjendja pas xhiros së shtatë.
Shorti ka përcaktuar që në çerekfinale të përballen Peja e Sigal Prishtina, dy prej skuadrave më të mëdha në vend. Në ndeshjen e parë vendase është Peja.
Ndeshja Peja – Sigal Prishtina zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi”. Ndeshja e kthimit është një javë më pas në Prishtinë. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve kalon në gjysmëfinale.
Po të mërkurën, Vëllaznimi e pret Golden Eagle Yllin. Edhe kjo ndeshje vlerësohet me shumë peshë dhe zhvillohet nga ora 19:00.
Të enjten nga ora 19:00 janë ndeshjet Proton Cable Prizreni – Trepça dhe Bora – Bashkimi.
Edhe gjysmëfinalet zhvillohen me dy ndeshje, ndërsa skuadrat që pas xhiros së shtatë ishin më lart në tabelë, do të jenë vendase në ndeshjet e dyta.
Sa i takon finales, në propozicione shkruan se “organizimin e ndeshjes finale të Kupës së Kosovës, Bordi i FBK-së mund t’ia besojë edhe ndonjërit prej klubeve apo agjencive të specializuara nën kushtet që do t’i parashtrojë paraprakisht Bordi. Kushtet për fitimin e të drejtës të organizimit të Kupës i përcakton Bordi i FBK-së”.
Nga federata e basketbollit kanë thënë se ishin klubet që kërkuan ndryshimin e sistemit të garës për Kupë.
“Ishin klubet që e kanë kërkuar një gjë të tillë në takimet që i kishim para fillimit të garave. E kanë propozuar dhe ne në federatë jemi pajtuar që të provohet kështu. Sa i takon finales, bordi vendos se ku do të organizohet”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Klubet kanë kërkuar që të kenë nga dy raste në sfidat për kupë. Deri më tani e kishin vetëm nga një dhe nuk kishin mundësi të përmirësimit të gabimit eventual. Gabimi nuk mund të përmirësohet vetëm në finale.