Janë liruar në procedurë të rregullt dy volejbollistët e Pejës që i kishin sulmuar fizikisht tifozët në tribuna, pas përfundimit të finales së Kupës së Federatës me KV Ferizajn.

Bëhet fjalë për lojtarët Leutrim Mujaj dhe Arlind Kabashi. Policia në Ferizaj ka bërë të ditur për KOHËN të martën se dy volejbollistët janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa mbeten për t’u intervistuar edhe lojtarët e zyrtarët tjerë të klubit. 

Ndeshja u zhvillua të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, ndërsa pas saj ndodhi një incident i rëndë. Lojtarët e Pejës dolën në tribuna dhe nisën rrahje me pak tifozë vendas, që ishin në tribunën anësore. Përveç rrahjes me grushte, një lojtar i klubit Peja është parë edhe duke goditur një tifoz me një lloj shkopi.

Ferizaj fitoi 3:2 në sete dhe lojtarët e kësaj skuadre ndalën festën kur po ndodhte incidenti. Ndeshja u transmetua nga federata, por jo edhe pamjet e dhunës. Megjithatë incizime të tjera konfirmojnë rrahjen e rëndë.

Te Peja thonë se janë fyer nga tifozët. Lojtarët e Pejës pas incidentit u kthyen në fushën e lojës, u rreshtuan dhe pranuan medaljet.

“Në fund të ndeshjes lojtarët tanë u ofenduan dhe u gjuajtën me gjësende të forta nga tifozëria vendase. Klubi ynë shpreh indinjatën e thellë ndaj këtyre gjesteve që nuk kanë vend në sport”, ka shkruar klubi pejan në njoftimin pas ndeshjes. 

Reagim tjetër nuk pati nga Peja.

Federata e Volejbollit e Kosovës ka reaguar po ashtu me komunikatë.

“Volejbolli nuk njihet si sport i dhunshëm, por përkundrazi, njihet si një lojë që promovon bashkëpunimin, respektin dhe garën e ndershme. Pikërisht për këtë arsye, ngjarje të tilla, që përfshijnë dhunë ose tensione, janë të papranueshme dhe bien në kundërshtim me rregullat, frymën dhe vlerat që ky sport synon të përcjellë”, shkruan në reagimin e FVK-së.

Federata e volejbollit ka kërkuar nga institucionet e vendit të marrin masa ndaj personave të përfshirë në rrahje. Në fakt për anën sportive masat duhet të vijnë pikërisht nga Federata e jo nga palë të tjera.
“FVK-ja në bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe instancat përkatëse do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që të gjithë akterët e përfshirë në ngjarje të tilla të japin llogari për veprimet e tyre. Ky angazhim reflekton përkushtimin e FVK-së për të ruajtur integritetin dhe vlerat e sportit, duke u siguruar që sjelljet e papranueshme të mos tolerohen”, shkruan tutje në reagim.

Skena si ato në Ferizaj shihen rrallë në arenat sportive, sidomos që lojtarët të dalin në tribunë dhe të përleshen me tifozë. 

Volejbolli nuk  vlerësohet sport problematik, pasi lojtarët janë të ndarë në dyja anët e fushës. Ndarja me tifozë është edhe më e theksuar. Por, ajo nuk kreu punë të dielën mbrëma.