Medalje në Kampionatin Evropian. Medalje në Kampionatin Botëror. Dhe, natyrisht, medalje në Lojërat Olimpike.

Viti 2024, ashtu si çdo vit tjetër për më shumë se një dekadë, ishte i rezultateve kulmore për xhudon kosovare, përkatësisht për ekipin e kryemjeshtrit Driton Kuka. Ky vit ka rikonfirmuar se xhudistët kanë bërë shkëputje të madhe me pjesën tjetër të sportistëve të vendit.

Derisa në xhudo janë fituar medalje në tri ngjarjet më të mëdha të vitit, në sportet e tjera nuk është fituar asnjë medalje e këtij niveli. Madje  këtë vit nuk kishte medalje evropiane e botërore as në kategori të reja.

Por si po ia del xhudoja kosovare të mbajë nivelin superior?

Përgjigjja ka kohë që dihet – vetëm me punë e përkushtim maksimal. Me pesë e gjashtë orë stërvitje në ditë, gati çdo ditë të vitit. Me punë profesionale dhe duke respektuar maksimalisht secilën kërkesë të kryemjeshtrit Kuka. Me punë duke i kushtuar rëndësi secilit detaj dhe duke përcjellë trendet e kohës.

Dhe kjo bën që xhudistët të jenë shumë para sportistëve tjerë të vendit. Që hendeku mes tyre të rritet e të rritet. Standardi që kanë vendosur dhe po mbajnë xhudistët është shumë i lartë dhe nuk duket se në të ardhmen e afërt do të jetë i arritshëm për sportistët e tjerë të vendit.

Ekipi i xhudos krahasimet i bën ndryshe. Krahasohet tashmë me ekipet më të mëdha të xhudos në botë. Me vendet me qindra miliona banore, e madje me dhjetëra mijëra xhudistë. Dhe sërish qëndron lartë.

Për shembull kryemjeshtri Kuka flet me krenari për listën e vendeve që kanë mbetur prapa Kosovës në garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

“Gjermania, Mongolia, Moldavia, Spanja, Austria, Belgjika, Greqia, Kina, Portugalia, Suedia, Serbia, Turqia, Holanda, Kuba, Hungaria, Zvicra…”.

Lista është e gjatë. Ka në këtë listë vende me xhudo shumë të zhvilluar, me numër të madh xhudistësh e që investojnë në këtë sport shumë më tepër se Kosova. Për shembull Gjermania. Pastaj Kina. Edhe Serbia ka investuar shumë miliona për të rivalizuar Kosovën në Paris në xhudo, por megjithatë nuk ia doli.

Xhudistët nuk bëjnë krenarë vetëm gjithë Kosovën. Janë tregim suksesi edhe për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

“Jam shumë krenar me xhudon e Kosovës, pasi prej paraqitjes së parë në Lojërat Olimpike ishte e suksesshme. Fillimisht Kosova fitoi një medalje të artë olimpike, më pas dy të arta olimpike e në Paris i fitoi edhe dy medalje të tjera. Përgëzime së pari për sportistët e po ashtu për federatën. Drejtuesit e saj kanë bërë punë të shkëlqyer. Përgëzime për Agronin, për Tonin, që ia kushtuan jetën xhudos, suksesit në sport dhe imazhit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Marius Vizer për KOHËN, gjatë Lojërave Olimpike të Parisit.

Lojërat e Parisit natyrisht ishin kulmi.

Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë. Laura Fazliu fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Akil Gjakova iu afrua shumë pranë medaljes. Por mbeti i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë. Me normë në Paris garuan edhe Nora Gjakova e Loriana Kuka.

Pra plot pesë xhudistë i kishte Kosova me normë në ngjarjen kryesore sportive. Në Botërorin e mbajtur në maj në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, Laura Fazliu fitoi medalje të bronztë. Distria Krasniqi u shpall kampione evropiane. Evropiani u mbajt në Zagreb në fund të prillit.
Nuk munguan medaljet as në ngjarjet tjera të xhudos, por natyrisht fokusi ishte te ngjarjet e mëdha. Në garën që njihet si më prestigjiozja e xhudos, Grand Slamin e Parisit, Distria ishte e artë, Akil Gjakova fitoi të bronztën, Nora ishte e pesta e Dardan Cena i shtati. Ishte ngjarja e parë e madhe, e mbajtur në shkurt. Në Grand Slamin në Baku, po ashtu në shkurt, Nora Gjakova ishte e dyta.
Distria fitoi medalje bronzi në Grand Slamin në Tbilisi në muajin mars, ndërsa me ngjyrë të njëjtë ishte edhe medalja e Flaka Loxhës në Grand Prix të Zagrebit, në shtator.

Xhudistët kosovarë nuk u paraqitën në shumë garë gjatë 2024-ës. Sidomos pjesa e dytë e vitit ishte e qetë. Por suksesi ishte kulmor.

Në muajt e fundit kryemjeshtri Kuka është fokusuar plotësisht në stërvitje. Krijimi i bazës për vitet e ardhshme dhe zgjerimi i mëtejmë i ekipit ishin në fokus.

Puna e bërë në muajt e fundit pritet të sjellë rezultatet në garat tjera të mëdha. Në fakt askush nuk mund të dyshojë se të tjera medalje të mëdha do të fitohen nga xhudistët. Bilanci i dekadës së fundit e dëshmon këtë. Garanci është puna që bëjnë ata.