Mikaile Tmushiq është shpallur më i miri, ndërsa Aulona Muhadri më e mira e vitit në basketboll.
Ceremonia “Laureatët 2024” në basketboll u organizua të enjten, ndërsa çmimet kryesore i morën basketbollisti i Trepçës dhe basketbollistja e Bashkimit.
Tmushiq fitoi katër trofe me Trepçën gjatë vitit 2024, derisa Muhadri tre trofetë me Bashkimin.
Tmushiq bashkë me Malvina Hazirin me votat e publikut fituan “Çmimin e Publikut”.
Tmushiq u përfshi edhe në pesëshen e vitit. Në pesëshe vend zunë edhe Dardan Kapiti (KB Trepça), Gëzim Morina (KB Golden Eagle Ylli), Muhamedali Janjeva (KB Sigal Prishtina) dhe Valon Bunjaku (KB Golden Eagle Ylli/ KB Bashkimi).
Ndërkohë, në pesëshen më të mirë te femrat po ashtu ishte Aulona Muhadri, Arbnore Përquku (KBF Bashkimi), Jeta Zeka (KBF Bashkimi/KBF Penza), Malvina Haziri (KBF Prishtina) dhe Sara Vraniqi (KBF Penza/KBF Peja 03).
Epiteti i klubit më të mirë i takoi Trepçës, ndërsa Bashkimi në konkurrencën e femrave.
Në Mitrovicë shkoi edhe çmimi i punëtorit sportiv, çmim që i takoi presidentit të Trepçës, Vullnet Sefaja. Trepça gjatë vitit fitoi katër trofe, ndërsa në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve e mposhti kampionin e Qipros, Keravnos. Në gjysmëfinale të raundit kualifikues u eliminua nga Numburku çek. Në fazën grupore të FIBA Europe Cup i humbi pesë ndeshjet që i zhvilloi.
“Trajneri i vitit është shpallur Lorik Kllokoqi, pasi fitoi Divizionin C me femra U18”, shkruan Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Shpresa e vitit te djemtë dhe vajzat ishin Yll Kastrati (KB Bora/KB Kerasan) dhe Flutra Mehmeti (KBF Prishtina).
Ngadhnjim Shabani është shpallur Gjyqtari i Vitit, i cili është edhe gjyqtar ndërkombëtar.
“Ambasadorja e basketbollit të Kosovës jashtë vendit është shpallur Astera Tuhina (Washington State Cougars)”, shkruan tutje FBK-ja.
Për Mithat Belegun, Xhevahire Mustafën dhe Mexhit Sogojevën u ndanë mirënjohje të veçanta. Pati edhe mirënjohje të tjera që u ndanë nga Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë ceremonisë së organizuar të enjten mbrëma.