Kampioni i padiskutueshëm botëror i kategorisë së rëndë të boksit profesionist, Oleksandr Usyk, thotë se nuk dëshiron të shihet si ikonë. Ukrainasi thjesht dëshiron të boksojë mirë dhe ta fitojë revanshin e së shtunës me Tyson Furyn
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, Oleksandr Usyk, paraqitet aq i relaksuar sa që duket se e harron barrën e përgjegjësisë që e mban. Derisa lufta e Ukrainës kundër Rusisë po vazhdon, Usyk e di se miliona njerëz mbështeten tek ai në pritje për një lajm të mirë. Usyku të shtunën në Riad të Arabisë Saudite i mbron titujt botërorë ndaj Tyson Furyt.
Lufta e parë mes tyre, në maj, e nxori Usykun fitues me një vendim të ndarë të gjyqtarëve. Ishte një betejë e ashpër, por Usyk mezi flet për ndikimin e arritjes së tij në moralin e ushtarëve ukrainas.
“Sigurisht që po flisja për meçin me ushtarët ukrainas, me miqtë e mi që tani po e mbrojnë vendin tonë”, thotë Usyk. “Unë do t’ju tregoj një histori. Është vija e frontit ku po zhvillohen luftimet. Djemtë në vijën e dytë kanë komunikime speciale me vijën e parë të fronitit. Ata kanë pseudonime si ‘Raketa’”.
Usyk ndal tregimin derisa buzëqesh pak. Ai vazhdon të interpretojë bisedat në fushën e betejës, pasi e mposhti Furyn.
“Ata thanë ‘Raketë, Raketë, a po më dëgjon?’ Intonacioni i tyre ishte shumë serioz kur morën telefonin për herë të parë. Përgjigjja ishte: ‘Po, po, çka ka ndodhur? Çka të bëjmë ne?’ Ata mendonin se ishte një emergjencë që kishte të bënte me luftën. Por më pas morën informacionin se unë isha kampion i padiskutueshëm i botës dhe nisën brohoritjet”, tregon Usyk.
Disponimi në Ukrainë ishte ngritur, të paktën për një kohë, me fitoren e Usykut. Ai tregon se kishte gëzim të njëjtë edhe te tre fëmijët e tij që qëndruan në shtëpi dhe e panë meçin në televizor. Por para se fitorja e babait të tyre ndaj Furyt të konfirmohej, ata kaluan moment të vështirë.
“Ata ishin shumë të frikësuar dhe nervozë, dy djemtë e mi dhe vajza”, e thjeshtëzon situatën Usyk.
“Kur shkova në shtëpi më thanë se tani jam legjendë e vërtetë. Por unë u them se ‘legjendë’ është gjë shumë e madhe. Nuk më pëlqen kjo. Unë dua të jem një djalosh i thjeshtë. Nuk dua që të tjerët të më shohin si ikonë. Nuk më duhet kjo”, thotë ukrainasi.
Para meçit të parë, Fury e kishte ngacmuar Usykun rregullisht. Por ai ishte shumë më i respektueshëm prej se e ndanë ringun në 12 raunde brutale.
“Tysoni flet më pak se që është mësuar”, pajtohet Usyk. “Ndoshta ai ka ndryshuar. Ndoshta është lojë e tij. Nuk brengosem për atë që thotë për mua. Nuk kam zemërim ndaj tij, vetëm respekt”.
Usyk gjithashtu ndien dhembshuri për kundërshtarin gjigant. Në vend se të jenë vetëm luftëtarë, Usyk e Fury, ndiejnë një lidhje si baballarë.
Usyk bëhet dukshëm më serioz kur përmend faktin se gjatë luftës së parë, gruaja e Furyt, Paris, kishte një abort në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
“Është shumë e trishtueshme. Lutem që gjithçka të jetë mirë për ta dhe të mos jetë një traumë e thellë që do të ketë ndikim në jetën e tyre. U uroj gjitha të mirat”.
Usyk reflektoi mbi pikëllimin për vdekjen e babait në vitin 2012, në një moment prekës menjëherë pas fitores ndaj Furyt në maj. Në katër të mëngjesit, me fytyrën plot plagë nga meçi i pamëshirshëm, Usyku foli për atë se si babai i tij i ishte paraqitur vazhdimisht në ëndrra në muajt e fundit.
Dhe në vend që të lartësonte statusin e tij si kampion i padiskutueshëm i kategorisë së rëndë, Usyk nisi të qajë me zë të ulët duke thënë: “Më mungon babai im. Por i them ‘hej, dëgjo, ti jeton atje’”.
Lotët mbushën sytë e Usykut derisa ai drejtoi kokën nga qielli.
Tani ukrainasi tund kokën derisa kujton emocionet.
“Sigurisht që ai është ende i pranishëm në jetën time. Nuk mund të isha ndryshe duke ditur se çka ka bërë për mua. Tani ai paraqitet më pak në ëndrrat e mia, apo nuk paraqitet fare, sepse mendova që nuk duhet. Ndoshta do të shfaqet në ditët e fundit para luftës. Por e mbaj mend, e mendoj shpesh, i shikoj fotot e tij. Ai është gjithmonë me mua”, ka vazhduar Usyk fjalimin për babain e tij.
Entuziazmi te Usyku kthehet kur flet për fitimin e gjithë titujve të kategorisë së rëndë. Përmend vizitën që ia bëri Lennox Lewis në kampin stërvitor. Usyk është i pari që ka unifikuar titujt e kategorisë së rëndë në këtë shekull. E arritura e tij krahasohet me atë të Lewisit në vitin 1999.
Usyku nuk ka dyshime që Lewis është legjendë.
“Ishte gjë e mrekullueshme”, thotë ai për vizitën.
“Dikur e shikoja në televizor duke luftuar. Tani ai është në kampin tim, duke parë sparingun tim. Unë i thashë: ‘Hej Lenox, të mungon boksi, të mungon përgatitja?’ Ai më tha: ‘Po, natyrisht’. Ishte gjë e madhe të jem me të. Mora një fotografi dhe i kërkova që ta nënshkruante për djemtë e mi. Babai i gruas sime po ashtu kishte kërkuar një nënshkrim dhe një fotografi”.
Nuk ka mbetur shumë kohë para se Fury të kthehet në ring dhe të përballet sërish me Tyson Furyn. Buzëqeshja e Usykut zbehet derisa mendon për revanshin dhe shpjegon se çka duhet të bëjë për të arritur një fitore tjetër për vendin e tij dhe fëmijët e tij.
“Duhet të jem më i mirë se në luftën e parë”, thotë Usyku me një zë fitues.