Dalja në ring me këngë anti-Kosovë e boksierit serb Stefan Mariq është vlerësuar e papranueshme nga Federata e Boksit Profesionist të Kosovës.

Mariq, që është boksier i nivelit fare të ulët, doli në ring të dielën në Tiranë me një këngë që Kosovën e quan tokë serbe. Ai boksoi me Ahmed Kocin, ndërsa humbi me nokaut në raundin e dytë.

Dalja në ring me këngën ofenduese ndaj Kosovës u kalua pa ndonjë reagim në mbrëmjen e boksit profesionist në të cilën u zhvilluan plot meçe.

KOHA shkroi të dielën mbrëma për momentin e papranueshëm e më pas lajmi u publikua edhe në mediat e tjera në Kosovë e Shqipëri, por edhe në vende të regjionit. Reagimet ishin dhe vazhdojnë të jenë të shumta. 

Ndërkohë të hënën me reagim zyrtar doli Federata e Boksit Profesionist të Kosovës. Sipas kësaj federate lëshime të tilla nuk duhet të tolerohen në të ardhmen.

“Federata e Boksit Profesionist të Kosovës e ka pranuar me shqetësim informatën se në mbrëmjen e boksit profesionist të mbajtur të dielën në Tiranë një boksieri serb i është lejuar hyrja në ring me këngë anti-Kosovë. Shprehim indinjatën e thellë me këtë ngjarje dhe kërkojmë nga Unioni i Boksit Shqiptar, si mbikëqyrës i evenimenteve të boksit profesionist në Shqipëri, të marrë masa ndaj organizatorit dhe të tregohet më i kujdesshëm në të ardhmen. Po ashtu kërkojmë t’ua tërheqë vërejtjen organizatorëve që një ngjarje e tillë të mos përsëritet. Bashkëpunimi mes federatave tona ka qenë gjithmonë shumë i mirë, duke kujtuar që kemi ndihmuar UBSH-në në rrugën drejt anëtarësimit në federatën evropiane EBU. Urojmë që ngjarje të tilla të pakëndshme të mos përsëriten kurrë”, shkruan në reagimin e Federatës kosovare të boksit profesionist.

Për 16-vjeçarin Koci, meçi i së dielës ishte debutues në boksin profesional. Ndërkohë serbi 20-vjeçar, Stefan Mariq, është humbës serik. Ai ka vetëm një fitore e plot dhjetë humbje. Pesë prej humbjeve i ka me nokaut.

Në mbrëmjen e boksit në Tiranë u paraqitën dy serbë. 

Shpesh boksierët shqiptarë i zgjedhin serbët për kundërshtarë dhe madje kryesisht të nivelit të ulët, për të fituar dhe për të rritur famën. Mposhtja e një boksieri nga Serbia shpesh bën bujë, ndërsa pak ka analiza për nivelin e boksierëve kundërshtarë.

Boksi profesionist është në një lloj kaosi. Mbrëmjet janë të shumta, shpesh me cilësi të dyshimta. Kjo bën që mos të ketë përgjegjësi të qartë. Rrjedhimisht edhe lëshimi i rëndë i së dielës në Tiranë mund të kalojë pa u ndëshkuar.