Rezultatet në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare kanë munguar në shumicën e federatave sportive kosovare.
Por Federatat zgjedhin më të mirët e vitit 2024, ata që janë dalluar, ndonëse në nivel më të ulët.
Të martën më të mirët i shpalli Federata e Mundjes e Kosovës (FMK).
Çmimi i mundësit më të mirë i takoi Egzon Xhonit të klubit Dardania. Në konkurrencën e femrave, më e mira u shpall Dorentina Nezaj e klubit Kolosi.
Trajneri më i mirë i vitit u shpall Sylejman Shala. Shala është trajner i klubit Prizreni, përkatësisht klubit më të mirë të vitit.
“Në mesin e dhjetë mundësve më të mirë për vitin 2024 janë edhe Jon Ramadani, Adriatik Berisha, Erand Flugaj, Indrit Bytyqi, Amin Hoti, Miran Latifi, Harun Shipkovicaj, Valid Smaili dhe Ledion Ilazi. Në mesin e dhjetë mundëseve më të mira të vitit janë Lonisa Reka, Elsa Nikoci, Kanita Spahija, Lorena Duraj, Flutra Zeneli, Vlorentina Cena, Elona Asllani, Erina Luta dhe Xhena Sadiku”, shkruan Federata e Mundjes e Kosovës të martën.
FMK-ja zgjodhi pesë shpresat e vitit 2024.
Shpresat e vitit u shpallën Miftar Morina, Albi Susuri, Enes Latifi, Mendon Haziraj e Blendion Fanaj.
Më 30 dhjetor më të mirët do t’i shpallë edhe Federata e Karatesë e Kosovës. Epiteti i më të mirës i takon Vlerë Qerimit, ndërsa trajnerja e vitit do të shpallet Fortesa Orana.
Ndërkohë, ditë më parë më të mirët i zgjodhën edhe Federata e Futbollit e Kosovës dhe ajo e basketbollit.
Të enjten do t’i shpallë më të mirët edhe Federata e Hendbollit e Kosovës, ndërsa KOHA do t’i zbulojë më të mirët e vitit 2024 të dielën, më 29 dhjetor.
KOHA ka traditën më të gjatë të shpalljes së më të mirëve në sport. Do t’i shpallë më të mirët për herë të 26-të.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të jetë i fundit prej organizatave sportive që do t’i shpallë më të mirët. Ceremoninë “Laureatët e Vitit 2024” pritet të organizohet në shkurt të vitit të ardhshëm.