Në fitoren 4:1 të Baselit ndaj Sionit, të dielën, sulmuesi Albian Ajeti luajti prej minutës së 69-të. Por në minutën e 95-të ai u ndëshkua me karton të kuq. Dhe për shkak të atij kartoni do t’i mungojë Baselit në tri ndeshjet e ardhshme.

Ai u ndëshkua direkt me të kuq “për sjellje të dhunshme dhe provokime”. Menjëherë të hënën Disiplinori i ligës zvicerane e dënoi Ajetin me tri ndeshje moslojë.

“Blick” ka njoftuar se Ajeti u ndëshkua me të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, për goditje nga prapa dhe shtyrje të italianit Federico Barba. 

Në dy ndeshjet e ardhshme do të mungojë Lindrit Kamberi i Zurichut. Të dielën ai u ndëshkua me të kuq për faul të rrezikshëm në fund të ndeshjes me Luzernin.

Amir Abrashi i Grasshopperit do të mungojë në ndeshjen e ardhshme në Superligën e Zvicrës pasi është ndëshkuar me kartonin e tetë të verdhë këtë edicion.