Ish-sulmuesi, Atdhe Nuhiu, i bashkohet shtabit teknik të selektorit Franco Foda.
Të hënën FFK-ja njoftoi se Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner në përfaqësuesen A të Kosovës në futboll.
“Në vazhdën e angazhimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në role të ndryshme në Federatën e Futbollit të Kosovës, ish-sulmuesi ynë i njohur Atdhe Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner i Kombëtares A. Ky vendim i presidentit Agim Ademi vjen si pjesë e strategjisë së FFK-së për të përfshirë ish-lojtarët e Kombëtares në strukturat e ekipeve kombëtare dhe për ta përcjellë eksperiencën e tyre tek gjeneratat e reja. Atdhe Nuhiu, me karrierë të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner në skuadrën austriake SC Rheindorf Altach. Emërimi i tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e tij dhe për sukseset e Kombëtares A”, shkruan në njoftimin e FFK-së.