Nedim Bajrami ka kërkuar që futbollistët e rinj që paraqiten te skuadra e Rangersit, të dalin në fushë dhe ta shfrytëzojnë rastin që u jepet.
Një rast të tillë, ata do ta kenë të dielën nga ora 13:00, kur skuadra e madhe Rangers, luan në udhëtim te Dundee United, në kuadër të xhiros së 24-t të kampionatit elitar skocez.
Mesfushori me tipare sulmuese që përfaqëson Shqipërinë, Bajrami, do ta ketë barrën kryesore kur skuadra e drejtuar nga Philippe Clement, do të luajë në kampionat pas duelit të vështirë me Manchester Unitedin në “Old Trafford”, në Ligën e Evropës.
Rangersi të enjten mbrëma u mposht nga skuadra e madhe angleze, 2:1.
Por, paraqitja e futbollistëve të Rangersit u vlerësua, pasi ata u mposhtën vetëm pas golit të Bruno Fernandesit në minutën e 92-të.
Për Rangersin gol të bukur shënoi sulmuesi 30-vjeçar Cyriel Dessers. Ai mund të largohet në verë, por Bajrami ka kërkuar që ai të mbetet në skuadër.
“Mendoj se muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë për të. Por ai ende po mundohet ta ndihmojë ekipin në fushën e lojës. Ai e meritoi golin që e shënoi kundër Manchester Unitedit dhe të gjithë ishim të lumtur për të. A shpresoj që ai të ëqndrojë këtu? Po, të gjithë e duan këtë. Por në fund të fundit, ai vendos”, ka deklaruar Bajrami të shtunën për faqen zyrtare të klubit.
Dessers është 30-vjeçar, ndërsa Bajrami 25-vjeçar. Që të dy janë prej lojtarëve më me përvojë në skuadër.
Bajrami ka thënë se njësoj si Dessers dhe të tjerët që janë më në moshë në ekip, mundohen t’i ndihmojnë të rinjtë.
“Shumë lojtarë tonë të rëndësishëm nuk kishin mundësinë të luanin kundër Manchester Unitedit, por të rinjtë kanë bërë ndeshje të mirë. Jam krenar për ta. Do të mundohemi t’i ndihmojmë ndeshje pas ndeshje, ata janë çelësi i skuadrës tani. Besoj se lojtarët e rinj janë mjaftueshëm të mirë për të luajtur të dielën. Të gjithë duhet të jenë gati, lojtarët e rinj e të vjetër. Por duhet t’i ndihmojmë sepse sezoni është i gjatë. Unë jam krenar për ta sepse luajtën para 80 mijë njerëzve të enjten dhe u paraqitën shumë mirë”, ka deklaruar Bajrami.
Ndeshjet e Rangersit në udhëtim në edicionin aktual nuk kanë qenë shumë të suksesshme.
Ekipi i Bajramit i ka fituar vetëm tri nga 11 udhëtimet që i kanë pasur. Bajrami e pranon se kjo nuk është e mjaftueshme dhe ka thënë se përmirësimi i statistikave duhet të nis prej të dielës.
“Tani kthehemi në ligë dhe i gjithë përqendrimi është te Dundee United. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm. E dimë formën tonë në udhëtim por do të mundohemi ta bëjmë më të mirën të dielën. Duhet vetëm të jemi në gjendje të mirë fizike”, është shprehur Bajrami.
Bajrami me Rangersin në këtë sezon ka realizuar katër gola dhe ka kontribuuar me po aq asistime në 29 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Në ligë, skuadra e ka humbur hapin për titull me Celticun.
Celticu është lider me 60 pikë, kurse Rangersi ka 47 pikë në vendin e dytë.
Në Ligën e Evropës pas shtatë ndeshjeve të luajtura, Rangersi është i 13-ti. Ka ende gjasa për ta siguruar fazën e 1/8 së finales në këtë garë.