Golden Eagle Ylli të mërkurën fitoi ndaj Pejës pas pesë humbjeve në kampionat. Fitoren e arriti me trajnerin e ri, sllovenin Alesh Pipan. Por menjëherë në vikend, skuadra suharekase pati përballje shumë të vështirë me liderin, Bashkimin. Prizrenasit ishin në seri prej katër fitoreve. Fitoren e pestë e arritën me trajnerin e ri, kroatin Sasha Jankoviq, i cili u prezantua në fillim të javës.  

Bashkimi e fitoi ndeshjen e xhiros së 19-të të elitës së basketbollit kosovar me rezultatin 70:60. Ndeshja u zhvillua në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, e që ishte e mbushur me shikues. 

Trepça që fitoi më herët gjatë ditës ndaj Proton Cable Prizrenit doli në vend të parë, por Bashkimi është kthyer sërish në krye të tabelës. Bashkimi ka 33 pikë, me 14 fitore e pesë humbje. Në vendin e dytë është Trepça me 13 fitore e gjashtë humbje. 

Golden Eagle Ylli në vendin e gjashtë ka 27 pikë, pas tetë fitoreve e 11 humbjeve. 

Bashkimi krijoi epërsi prej nëntë pikëve pas pjesës së parë, 33:24, ndërsa në nisje të çerekut të fundit, kishte epërsi prej shtatë pikëve, 51:44. 

Mysafirët kishin lojë të suksesshme në sulm e mbrojtje dhe nuk e rrezikuan fitoren me dhjetë pikë dallim. 

Jayveous Mckinnis ishte sërish më i miri te Bashkimi duke realizuar 19 pikë e plot 20 kërcime. Valon Bunjaku pati kontribut të madh në fitore me dhjetë pikë, një kërcim e gjashtë asistime. 

Malcolm Armstead tek Ylli ndeshjen e mbylli me 22 pikë, katër kërcime e tri asistime. 

Golden Eagle Ylli është eliminuar edhe nga Kupa e Kosovës, ndryshe nga Bashkimi që e fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Vëllaznimit dhe është afër finales.