Bashkimi e nisi furishëm edicionin 2024/2025 në Superligën e Kosovës në basketboll. Rreshtoi shtatë fitore, njërën prej të cilave ndaj kampiones aktuale, Trepçës.
Në kuadër të xhiros së tetë, prizrenasit udhëtuan në Mitrovicë. Dhe u mposhtën nga Trepça me rezultat shumë të thellë, 82:52. Kështu, përnjëherë, skuadrës deri atëherë të pamposhtur iu “ekspozuan” shumë dobësi.
Prej atëherë Bashkimi ka më shumë humbje se fitore. Stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e dytë me bilanc prej nëntë fitoresh e pesë humbje. Tashmë ka dy pikë më pak se liderja, Trepça, që ka bilanc prej 11 fitoresh e tri humbje.
Për humbjen e thellë në Mitrovicë, prizrenasit shpresojnë të revanshohen të mërkurën mbrëma. Nga orën 19:00, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, zhvillohet derbi i xhiros së 15-të, Bashkimi – Trepça. Është kjo xhiroja e parë për pjesën e dytë të kampionatit.
Derbi megjithatë nuk erdhi në kohën më të mirë për skuadrën e “portokalltë”. Pas asaj disfate në Mitrovicë, Bashkimi u mposht edhe nga Vëllaznimi, Bora, Golden Eagle Ylli e Peja. Ndërkohë ka fituar vetëm ndaj Proton Cable Prizrenit e Sigal Prishtinës.
Kjo ecuri negative solli ndarjen me trajnerin Darko Raduloviq, ndërsa kryetrajneri i ri nuk është emëruar ende. Klubi ndërkohë ka bërë dy përforcime. Ktheu qendrën Erick Copes dhe angazhoi fundorin Wendell Green Jr.
“Na pret ndeshje shumë e fortë. E dimë që Trepça e Bashkimi janë dy skuadrat më të mira në Superligë”, ka thënë kapiteni i Bashkimit, Altin Morina.
Bledar Gjeçaj, që ishte ndihmës i Raduloviqit, do ta drejtojë skuadrën në derbin e së mërkurës.
“Mungesa e kryetrajnerit është evidente, por shpresojmë që përvoja e Gjeçajt të na ndihmojë. Ai do ta udhëheqë ekipin në ndeshje, ndërsa shpresojmë në përkrahje sa më të madhe dhe që të kemi rezultat pozitiv”, ka shtuar Morina.
Trepça nuk ka bërë ndryshime të shumta. Ka ndërruar vetëm qendrën e huaj, duke ruajtur përbërjen që kishte në vjeshtë.
Në xhiron e kaluar mitrovicasit fituan ndaj Borës, ndërsa në xhiron e 13-të u mposhtën 65:64 nga Peja. Këtë edicion “xehetarët” janë mposhtur vetëm edhe nga Bashkimi e Sigal Prishtina.
Të mërkurën prej orës 19:00 është edhe ndeshja Bora – Golden Eagle Ylli. Skuadra prishtinase do të mundohet të bëjë befasi tjetër, ndërkohë që Ylli shpreson ta lërë prapa krizën e xhirove të kaluara.
Të enjten, prej orës 19:00, janë ndeshjet Vëllaznimi – Peja dhe Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina.
Superliga në basketboll – XV
E mërkurë (19:00)
Bashkimi – Trepça
Bora – Golden Eagle Ylli
E enjte (19:00)
Vëllaznimi – Peja
Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina