Federata e Futbollit e Belgjikës ka njoftuar të premten se ka marrë vendimin për shkarkimin e përzgjedhësit italian, Domenico Tedesco.
“Pas vlerësimit të detajuar, u vendos të ndërpritet bashkëpunimi me përzgjedhësin Domenico Tedesco. Ky vendim është aprovuar nga Bordi i Drejtorëve. Kërkimi për një përzgjedhës të ri ka filluar”, ka shkruar Federata belge.
Tedesco u vu në krye të Përfaqësueses së Belgjikës në shkurt të vitit 2023, ndërsa nën drejtimin e tij, Belgjika e siguroi kualifikimin në “Euro 2024”.
Më pas e kaloi grupin nga vendi i dytë, prapa Rumanisë dhe para Sllovakisë e Ukrainës. Të gjitha katër përfaqësueset e këtij grupi kishin nga katër pikë.
Belgjika në 1/8 e finales në Evropianin në Gjermani verën e kaluar, u eliminua nga Franca, 1:0.
39-vjeçari Tedesco ka drejtuar edhe Schalken, Spartak Moskën dhe Leipzigun.