Manchester City e ka fituar derbin ndaj Chelseat dhe është ngjitur në pozitën e katërt të Premier Leagues angleze.
City me rikthim të rezultatit, fitoi të shtunën me rezultatin 3:1, në ndeshjen e xhiros së 23-të.
Në këtë ndeshje te “qytetarët” debutuan transferimet e këtij afati kalimtar, qendërmbrojtësi 20-vjeçar Abdukodir Khusanov dhe sulmuesi 25-vjeçar Omar Marmoush.
Skuadra e Pep Guardiolës pranoi gol që në minutën e tretë.
Ishte pikërisht Khusanov që u mundua ta kthente topin te portieri Ederson.
Nga ky rast përfitoi Nicolas Jackson që asistoi për Noni Madueken.
Joshko Gvardiol i Cityt i barazoi shifrat tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë.
Për mbrojtësin kroat ishte goli i pestë në edicionin aktual të Premier Leagues, dhe bëhet mbrojtësi me më së shumti gola të realizuar aktualisht në elitën angleze.
Erling Haaland në minutën e 68-të më pas e kaloi Cityn në epërsi prej një goli.
Në minutën e 68-të, norvegjezi i asistuar nga portieri Ederson, e shfrytëzoi edhe daljen e gabuar të portierit të Chelseat dhe realizoi me parabolë.
Edersoni e ka barazuar portierin Paul Robinson me më së shumti asistime në histori të Premier Leagues, me nga pesë gjithsej.
Haalandi u kthye në asistues të golit të tretë për Phil Fodenin, i cili ishte edhe goli që e vendosi sfidën.
City, që nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit në Premier League me katër fitore e dy barazime, tani në vendin e katërt ka 41 pikë, aq sa ka edhe Newcastle në pozitën e pestë por me goldallim më të dobët.
Para Cityt janë Liverpooli me 53 pikë e me një ndeshje më pak të luajtur. Arsenali ka 47 pikë në vendin e dytë, ndërsa Nottingham Foresti ka 44 pikë në vendin e tretë.