Pas raundit të fundit të furishëm, të mërkurën mbrëma, faza inauguruese e ligës me 36 ekipe në Ligën e Kampionëve, përfundoi.

Faza e ligës e ka zëvendësuar fazën grupore të Ligës së Kampionëve, garës elitare për klube të futbollit. Të gjitha 36 skuadrat pjesëmarrëse ishin në një ligë. Secila skuadër i ka zhvilluar nga tetë ndeshje në fazën e ligës, ndërsa kundërshtarët janë përcaktuar përmes shortit. Tetë skuadrat e para pas fazës së ligës janë kualifikuar direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24 janë kualifikuar në plejof, ku do të garohet për vend në një të tetën e finales. Skuadrat e pozitave 9-16 janë bartëse në shortin e së premtes, ndërsa skuadrat e pozitave 17-24 nuk janë bartëse. Dhe skuadrat prej vendit të 25-të e deri në vendin e 36-të janë eliminuar në fazën e ligës.

Më poshtë prezantojmë disa shifra se si edicioni i parë me format të ri po zhvillohet:

144

Numri i ndeshjeve në fazën e ligës është rritur në 144, në krahasim me 96 sa ishin në edicionin e kaluar kur kishte fazë grupore.

Në fazën grupore janë paraqitur 32 skuadra, ndërsa numri është rritur në 36 për fazën e ligës.

3.27

Mesatarja e golave për fazën e ligës ishte 3.27 për ndeshje. Në edicionin e kaluar në fazën grupore ishin shënuar mesatarisht 3.09 gola për ndeshje. Pra dukshëm më tepër ka pasur gola me formatin e ri.

9

Robert Lewandowski i Barcelonës dhe Serhou Guirassy i Borussia Dortmundit janë golashënuesit më të mirë të fazës së ligës me nga nëntë gola.

Raphinha i Barcelonës i ka tetë, ndërsa Viniciusi i Real Madridit shtatë. Shumë lojtarë i kanë nga gjashtë gola.

7

Seria e fitoreve të Liverpoolit është ndalur pas shtatë ndeshjeve. Të mërkurën u mposht 3:2 nga PSV Eindhoveni. Humbja e Liverpoolit nënkupton se nuk kishte skuadër të pamposhtur në fazën e ligës. Edicionin e kaluar në fazën grupore ishin gjashtë skuadra që nuk kishin pësuar humbje.

23

Plot 23 ndeshje janë fituar me dallim prej katër apo më shumë golave. Fitorja 9:2 e Bayernit ndaj Dinamo Zagrebit në xhiron e parë hapi serinë e ndeshjeve të dominuara plotësisht nga njëra skuadër. Edicionin e kaluar vetëm katër ndeshje ishin fituar me dallim prej katër apo më shumë golave.

Fakti që goldallimi do të ishte vendimtar në fund, pos pikëve, bëri që skuadrat të kërkojnë fitore sa më të thella.

0

Zero është numri i skuadrave nga Evropa lindore në fazën nokaut, përkundër formatit të zgjeruar.

Klubet nga Kroacia, Çekia, Sllovakia, Ukraina, Serbia kanë përfunduar më poshtë se pozita e 24-t. Dinamo Zagrebi ishte më së afërmi duke përfunduar në vendin e 25-të. Por u eliminua për shkak të goldallimit, ndonëse të mërkurën fitoi ndaj Milanit. Dinamo kishte pikë të barabarta me Manchester Cityn, Sportingun e Club Bruggen. Derisa këto tri skuadra avancuan, Dinamo jo.

Asnjë ekip nga Evropa lindore nuk ka luajtur në fazën nokaut të Championsit, qëkur këtë e arriti Shakhtar Donetsku në edicionin 2017/18.