Milot Rashica nuk kishte shënuar gol prej 22 shtatorit të vitit të kaluar. Njësoj si Rashica që kishte krizë para portës, edhe skuadra e Beshiktashit kishte krizë të rezultateve. Për këtë arsye në muajin nëntor nga posti i trajnerit u shkarkua holandezi Giovanni van Bronckhorst. Trajner i përkohshëm më pas ishte Serdar Topraktepe, kurse drejtimin e skuadrës së fundmi e mori ish-trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer. Dhe në ndeshjen e parë të Solskjaerit në krye të Beshiktashit, Rashica shkëlqeu bashkë me shokët e tjerë të skuadrës së madhe turke.

Beshiktashi fitoi 4:1 të mërkurën ndaj Athletic Bilbaos në xhiron e shtatë të Ligës së Evropës. Sulmuesi i Kosovës i shënoi dy gola, ndërsa ishte i përfshirë edhe në golin e tretë. Me fitoren e thellë, Beshiktashi tani ka nëntë pikë në vendin e 18-të, kurse Bilbao në pozitën e dytë ka 16 pikë.

Bilbao e ka të sigurt plasmanin në 1/8 e finales së kësaj gare, kurse Beshiktashi me fitore ka bërë hap shumë të madh drejt avancimit në 1/16 e finales së Ligës së Evropës.   

“Shpresoj të vazhdojmë kështu. Tifozët tanë sonte ishin të shkëlqyer. Na kanë dhënë përkrahje shumë të madhe. Ne gjithmonë mundohemi ta bëjmë më të mirën. Do t’i marrim gjërat pozitive nga ndeshja e sotme dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë”, ka deklaruar Rashica pas ndeshjes për mediat turke.

28-vjeçari Rashica në fakt i shënoi dy golat e parë në Kupat Evropiane.

Në Evropë, Rashica ka luajtur vetëm me Vitessen holandeze dhe Beshiktashin turk. Por, nuk ia kishte dalë ta tundë rrjetën në 20 ballafaqimet e mëhershme.

Golin e parë të mërkurën në praninë e tifozëve të zjarrtë, Rashica e shënoi në minutën e 17-të. Ai e pranoi topin nga Rafa Silva. Gjuajti për mrekulli në këndin e portierit, i cili ishte pa gjasa në atë rast dhe e pranoi golin e parë.

Ai iu gëzua golit me Ernest Muçin, futbollistin e Shqipërisë, e më pas edhe me lojtarët e tjerë të ekipit. U kthye nga tifozët dhe bëri me shenjë kah shiriti i zi që mbante në dorë, në shenjë respekti për familjarët e afro 80 personave që mbetën të vdekur pas zjarrit në një qendër skijimi në Bolu.

“Dua që fillimisht ta ndaj dhembjen me ata të cilët humbën më të dashurit e tyre nga zjarri në Bolu dhe uroj që të lënduarit të shërohen sa më shpejt. Trajneri na ka sjellë energji të re që nga dita e parë. Ai e do punën që e bën. Është trajner entuziast dhe na motivon të gjithëve. Jam shumë i lumtur që kemi shënuar fitore me plot gola të realizuar”, theksoi Rashica, që luajti deri në minutën e 79-të. Muçi u zëvendësua në minutën e 87-të.

Rashica për 2:0 shënoi në minutën e 60-të, sërish me asistim të Rafa Silvas. Portugezi shënoi për 3:1 në minutën e 77-të, ndërsa Joao Mario nga penalltia e vendosi rezultatin përfundimtar në minutën e 92-të. Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Unai Gomez, në fundin e pjesës së parë.

Për Beshiktashin ishte vetëm fitorja e katërt në 14 ndeshjet e fundit në këtë garë. Ndeshjen e fundit të fazës së ligës e luan në udhëtim te Twente më 30 janar. 

Beshiktashi edhe në ligë ka mbetur prapa në garë për titull. Galatasaray dhe Fenerbahçe janë në pozitën e parë e të dytë, me nga 51 e 45 pikë respektivisht.

Beshiktashi është i gjashti me 31 pikë pas 19 ndeshjeve të luajtura.

“Muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë për gjithë ne. Kishim nevojë për vetëbesim dhe trajneri na e dha këtë nga dita e parë. E shfaqëm atë sonte. Ne treguam se nëse të gjithë jemi të bashkuar, mund të bëjmë gjëra të mira së bashku. Kemi luajtur futboll të mirë. Duam të vazhdojmë kështu”, deklaroi Rashica.

Rashica në këtë edicion ka zhvilluar 22 paraqitje në të gjitha garat. Në Ligën e Evropës e ka edhe një asistim.

Ndërkohë, një gol e katër asistime i ka në Superligën e Turqisë, kurse një asistim tjetër e ka në kualifikime.