Të martën Golden Eagle Ylli e Bashkimi njoftuan për trajnerët e rinj që kanë angazhuar. Tek Ylli tashmë ka debutuar slloveni i njohur, Alesh Pipan, ndërsa Bashkimi njoftoi se ka angazhuar kroatin Sasha Jankoviq.

Ylli e Bashkimi përballen të shtunën nga ora 19:00 në Suharekë, në njërin prej derbive të xhiros së 19-të të elitës kosovare të basketbollit. Pritet që Jankoviqi të debutojë në këtë ndeshje.

Me Pipanin në stol, Golden Eagle Ylli të mërkurën i dha fund serisë prej pesë humbjeve në ndeshje kampionale. Fitoi në “Karagaçi” ndaj Pejës me rezultat 83:71.

Bashkimi është në seri prej katër fitoreve. Prej të mërkurës është lider i klasifikimit në Superligë me 31 pikë, një më shumë se Trepça e vendit të dytë. Prizrenasit shfrytëzuan humbjet e shumta të ekipit mitrovicas dhe u kthyen në vendin e parë në tabelë.

Ndërkohë Ylli është vetëm i gjashti me 26 pikë.

Derbi vjen në kohë të rëndësishme për të dy skuadrat. Suharekasit synojnë tjetër fitore për ngritje të mëtejme në tabelë. Për Bashkimin fitorja do të nënkuptonte mbetje në vendin e parë në tabelë, që në fund ka peshë të madhe në garën për titull.

Tek Ylli presin shumë nga Alesh Pipani, slloveni me përvojë.

“Trajneri i ri solli frymë pozitive që po ndikon pozitivisht në ekip. Fitorja e fundit na ka dhënë besim dhe motivim shtesë. Përballja me Bashkimin do të jetë e vështirë, por ne jemi përgatitur dhe jemi të motivuar të japim maksimumin. Synimi është të shfaqim lojë të mirë. Jemi të vendosur që të paraqitemi sa më mirë dhe gradualisht të përmirësohemi si ekip”, ka thënë basketbollisti i Yllit, Arian Qallaku.

Tek Ylli është kthyer Jan Palokaj, që pati paraqitje të mira në ndeshjet e para të këtij viti. Ai ka respekt për prizrenasit.

“Natyrisht se do të jetë ndeshje e vështirë. Bashkimi është në formë të mirë dhe si lider i ligës është favorit në këtë derbi. Ne do të mundohemi të përsërisim paraqitjen që kishim ndaj Pejës dhe me ndihmën e tifozëve të marrim tjetër fitore”, ka thënë Palokaj.

Në tetor, në kuadër të xhiros së pestë, Bashkimi kishte fituar ndaj Yllit në Suharekë me rezultat 77:66. Në kuadër të xhiros së 12-të, në mes të dhjetorit, Ylli kishte fituar në Prizren ndaj Bashkimit, 72:69. Pra bilanci në ndeshjet direkte është 1:1.

“Do të jetë ndeshje e fortë. Por derisa ne të luajmë të bashkuar dhe të luajmë mirë në mbrojtje, gjithçka do të jetë mirë. Ne jemi në ritëm të mirë për momentin dhe duam që ta ruajmë formën dhe të vazhdojmë me lojën tonë. Ne do të vazhdojmë të mbesim të parët në ligë”, ka thënë Mack Smith, njëri prej lojtarëve të dalluar të Bashkimit.

Të mërkurën Bashkimi fitoi bindshëm ndaj Borës, 94:76.

Xhiroja hapet me ndeshjen Proton Cable Prizreni – Trepça, që zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në Mitrovicë. Ndonëse në krizë rezultatesh, Trepça llogaritet favorite e madhe ndaj Prizrenit.

Të dielën është derbi tjetër mes Sigal Prishtinës dhe Pejës, që zhvillohet në kryeqytet nga ora 17:00. Prishtina të enjten shënoi fitore dramatike ndaj Trepçës në Mitrovicë dhe synon pikë të reja ndaj Pejës. Prishtina është e pesta me 28 pikë, ndërsa Peja renditet e treta, po ashtu me 28 pikë.

Xhiroja e 19-të mbyllet me ndeshjen Bora – Vëllaznimi, që zhvillohet të dielën nga ora 19:00.

Superliga në basketboll – XIX

E shtunë

Proton Cable Prizreni – Trepça (17:00)

Golden Eagle Ylli – Bashkimi (19:00)

E diel

Sigal Prishtina – Peja (17:00)

Bora – Vëllaznimi (19:00)