Distria Krasniqi nuk ka garuar që nga 27 korriku i vitit të kaluar. Lufta e fundit e saj ishte në finalen olimpike. Në Paris. 

Në kryeqendrën franceze, të njohur në sport edhe për tifozët pasionantë të xhudos, 29-vjeçarja e bën kthimin në tatami. Ajo pas Lojërave Olimpike, ku fitoi medaljen e argjendtë, kishte pushim pak më të gjatë nga stërvitjet e dukshëm më të gjatë nga garat. Kthehet të shtunën.

Distria do ta kërkojë medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, garën më prestigjioze të xhudos, pa llogaritur këtu Kampionatet Botërore, Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

Të artën në Grand Slamin e Parisit tashëm e ka fituar tri herë. Kampione ishte në vitin 2020, në vitin 2023 dhe 2024. Pra e kërkon të artën e katërt dhe të tretën rresht. Në Paris i ka edhe dy medalje të argjendta, në vitin 2019 dhe 2022. Në vitet 2017 e 2018  kishte fituar medalje të bronzta. Në vitin 2021 xhudistët e Kosovës nuk u paraqitën në këtë garë. Rrjedhimisht Distria ka fituar medalje në shtatë paraqitjet e fundit në këtë garë.

Ndonëse nuk ka garuar gjatë, Distria është e treta në ranglistën botërore, në kategorinë deri në 52 kilogramë. Është bartëse e parë në garën e fundjavës. Bishrelt Khorloodoi e Emirateve të Bashkuara Arabe, Gefen Primo e Izraelit, e sidomos japonezja Kisumi Omori, vlerësohen rivalet e Distrisë për medaljen e artë. Në garë ka edhe xhudiste të tjera cilësore.

Por kosovarja është xhudistja që duhet mposhtur në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo është e vetmja xhudiste e Kosovës me dy medalje olimpike. Në Tokio në vitin 2021 kishte fituar të artën, ndërsa synon tjetër medalje në LA 2028.

“Më pëlqen kur arena është e mbushur me tifozë. Për këtë arsye më pëlqen Grand Slami i Parisit dhe paraqitem mirë në këtë garë. Më jep një ndjenjë të fortë kur njerëzit bëjnë tifo”, ka thënë Distria.
Në Paris të shtunën garojnë edhe Nora Gjakova, Erza Muminoviq, Akil Gjakova e Dardan Cena. Bashkë me ekipin do të jetë kryemjeshtri Driton Kuka.

Gjithsej do të garojnë 316 xhudistë nga 54 vende.