Japonezja Uta Abe ishte favoritja më e madhe për medalje të artë në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo, në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Abe nuk ishte bartëse, por megjithatë vlerësohej nga të gjithë si favoritja kryesore.
Japonezja e jashtëzakonshme megjithatë u befasua në raundin e dytë nga uzbekja Diyora Keldiyorova. Keldiyorova kishte ditë fantastike më 28 korrik 2024 dhe në finalen olimpike e mposhti Distria Krasniqi.
Distria ishte përgatitur për luftë në finale me Aben. Por ajo luftë megjithatë nuk u realizua.
Në një intervistë të gjatë për Unionin Evropian të Xhudos, Distria ka folur për garën në Lojëra Olimpike dhe për synimin e planin që në finale ndaj Abes të kërkonte medaljen olimpike.
Humbja e Uta Abes nga Diyora Keldyorova vlerësohet prej befasive më të mëdha në Lojërat e Parisit.
“Vërtetë kam dashur të përballem me Aben në finale, pasi jam përgatitur shumë për të dhe po ashtu mendoj se jam përgatitur më shumë për të se për kundërshtaret e tjera. Kjo nuk ishte mirë, është dashur të përgatitem barabartë për të gjitha”, ka thënë Krasniqi për EJU.
Ajo fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë në Lojërat e Tokios në vitin 2021, ndërsa fitoi medalje argjendi në Paris 2024.
“Isha në arenën e ngrohjes dhe po shihja luftën mes Abes dhe Keldiyorovas. Po shkonte në favor të Abes dhe kur ndodhi ajo, ishim të gjithë të shokuar. Shumë njerëz ishin të lumtur, por unë nuk isha. Nuk e di se çka ndodhi me mua, por mezi mbajta lotët. Trajneri u kthye kah unë dhe më tha se është mundësi e madhe. Më pas pa fytyrën time dhe që nuk isha mirë. Kisha presion që duhej të merrja të artën”, ka treguar Krasniqi.
“Kam ëndërruar për këtë luftë çdo natë, për finalen me Aben. Vërtet më është dashur të përgatitem më shumë për të pasi ajo nuk ishte bartëse. Dhe do të mund të ishte kundërshtare që në luftën e parë”, ka shtuar xhudistja kosovare.
Distria thotë se në Paris ishte më e fokusuar se në Tokio dhe se tashmë e dinte se çka është të jesh olimpiste. Thotë se në Paris ishte më e përgatitur në aspektin mental, ndonëse në Tokio fitoi të artën.
Duke folur për “Tokio 2021”, Distria ka treguar se gara olimpike i është dukur e zakonshme, njëjtë si një Grand Prix apo Grand Slam.
Në Paris finalja u zhvillua shumë shpejt pas gjysmëfinales dhe këtë nuk e përballoi mirë Distria.
“Erdhi pas vetëm dhjetë minutash apo diçka të tillë. Nuk isha e fokusuar fare për finale, isha e përgjumur dhe më e qetë se që duhej të isha. Gjatë gjithë ciklit katërvjeçar kemi pasur kohë të mirë për të pushuar para finales. Dhe në garën më të rëndësishme ndodhi diçka tjetër. Kemi pasur gati tri orë pushim para gjysmëfinales dhe unë mendoj se luftova sikur të ishte finale. Ndoshta ky është gabimi që bëra në këtë Olimpiadë. Por edhe gjysmëfinalja është e rëndësishme, dhashë çdo gjë nga vetja”, ka thënë Distria Krasniqi.
Ajo është kënaqur me atmosferën e zjarrtë në Paris, ndërsa thotë se edhe në finale është rrahur mirë, deri në momentin kur Keldiyorova realizoi hedhjen.
Distria megjithatë ka vlerësuar se Keldiyorova e ka mëritur të artën në Paris më shumë se ajo dhe xhudistet e tjera.
“Ajo e mposhti Aben, Amandine Buchardin e Francës, mua. Ishte e pandalshme. Ishte dita e saj dhe një ditë fantastike. Bëra atë gabim dhe ajo është xhudiste fantastike, i sheh detajet. Pasi më hodhi e humba mendjen. Nuk e dija çka të bëja dhe më pas lufta nuk ishte e mirë për mua”.
Distria është sportistja e parë e Kosovës me dy medalje olimpike. Kjo bëri që të vlerësojë të argjendtën në Paris, ndonëse fillimisht nuk ishte e lumtur që humbi finalen.
“Të bëhem e para (me dy medalje olimpike) më bën shumë krenare. Ishte kategori tjetër, finale dhe tani po e shijoj më shumë. Në shtëpi të gjithë ishin të lumtur. Por pas Tokios më duket që janë mësuar vetëm me të artat. E argjendta dhe e bronzta janë po ashtu të mira, shumë njerëz na pritën në vendin tonë për të festuar”, ka thotë Distria Krasniqi.
Në Paris medalje të bronztë fitoi Laura Fazliu.
Distria vlerëson se Laura do ta fitonte të artën nëse do të shfaqte gjithë potencialin e saj.
“Isha nervoze për të gjithë në ekip, sidomos për të. Mendoj se nuk kishte ditë të mirë, pasi po ta kishte, jam e sigurt se do të merrte medalje ari. Por sërish puna e madhe u shpagua dhe jam shumë e lumtur për të. Ajo ka bërë sakrificë shumë të madhe, ishte fëmijë kur erdhi te ne dhe kur la familjen. Ajo ushtron shumë dhe vërtet e ka merituar atë medalje”, ka thënë Krasniqi.