“Emiri i shfrytëzon shumë mirë situatat një kundër një”, kishte deklaruar ndër të tjera trajneri i Hamburgut, Merlin Polzin, në fillimin e këtij muaji kur skuadra po bënte përgatitjet për pjesën së dytë të edicionit. Dhe doli se kishte të drejtë.
Situatën një kundër një, Sahiti 26-vjeçar e shfrytëzoi të shtunën e kaluar. Pas një kundërsulmi të shpejtë nga skuadra e Hamburgut, Sahiti e dribloi shkëlqyeshëm Marten Winklerin, për ta dërguar më pas topin në rrjetë. Ishte goli i minutës së 84-t i shënuar nga Sahiti, që e vendosi ndeshjen e rëndësishme të Hamburgut në xhiron e 19-të të Bundesliga 2. Ishte zëvendësuar dy minuta më pas, por Hamburgu fitoi në udhëtim te Hertha Berlini, 3:2. Me pikët e plota, skuadra e madhe gjermane, Hamburgu, mbeti në krye të tabelës me 34 pikë, aq sa ka edhe Kolni.
Për Sahitin do të mbetet njëri prej golave më të rëndësishëm në karrierën e tij të deritashme. Në stadium zyrtarisht ishin 71 mijë e 500 shikues.
“Për mua është hera e parë që luaj në një stadium me 75 mijë tifozë, 20 mijë prej të cilëve ishin të skuadrës sonë. Ishte një super ndeshje dhe ishte kënaqësi shumë e madhe që shënova në këtë ndeshje. Ishte njëri prej golave më të rëndësishëm në karrierën time”, ka thënë Sahiti për KOHËN.
Sahiti rrugëtimin e nisi te Ramiz Sadiku, më pas kishte luajtur edhe te Prishtina, Trepça ’89 e Rabotniçki, para se ta bënte hapin e madh në Kroaci, te Hajduku i Splitit. Në Kroaci për pak kohë ishte edhe te Shibeniku.
Hamburgut iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Hajduku i Splitit, për 1.2 milionë euro.
Sulmuesi i krahut ka thënë se fillimi te skuadra e kategorisë së dytë të futbollit gjerman ishte i vështirë. Klubi ishte i ri, por edhe bashkëlojtarët. Me punë dhe me maksimumin në stërvitje e ndeshje, ka arritur që ta fitojë besimin e trajnerit. Dhe i është mirënjohës për këtë.
“Me trajnerin bisedoj çdo herë në stërvitje. Po e jap më të mirën vazhdimisht në stërvitje e në lojë. Jam në moment të mirë. Por, besoj në punën e madhe, në mënyrë që të bëhem edhe më i mirë”, është shprehur Sahiti.
Për Sahitin, goli i së shtunës në Gjermani është sinjal se mund të jetë kandidat i fortë për sulmues krahu te Kosova. Së fundmi për Kosovën luajti në ndeshjet e tetorit.
“Unë jam i gatshëm për Kosovën gjithmonë. Është trajneri ai që vendos se kë e fton. Unë jam i gatshëm për Kombëtaren tonë”, deklaroi Sahiti që ka pesë paraqitje e një gol të shënuar me Kosovën. Ka edhe 11 paraqitje e dy gola me Shqipërinë U21. Tri paraqitje i kishte në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve, dy në shtator e një në tetor.
26-vjeçari Sahiti të shtunën e shënoi golin e parë në Bundesliga 2, ndërsa pret edhe shumë të tjerë në vazhdim të kampionatit.
Skuadra e tij nuk ka pësuar humbje në shtatë ndeshjet e fundit në Bundesliga 2. Ka katër fitore e tri barazime. Ndeshjen e radhës në kampionat e ka më 2 shkurt, në shtëpi ndaj Hannoverit.
“Kampionati në Bundesliga 2 është shumë i fortë. Ne shpresojmë që në këtë vit të dalim në vendin e parë dhe të futemi në Bundesligë”.
Hamburgu bën gara në Bundesliga 2 prej vitit 2018, kur nuk e kishte siguruar mbijetesën. Por synim në këtë vit është ngjitja në elitë dhe është në rrugë të mbarë.