Valon Fazliu po i afrohet shifrës jubilare të golave. I duhen edhe 26 për të arritur shifrën e 100 golave në “Challenge League”, që është kategoria e dytë e futbollit zviceran. Pos 74 golave në 194 ndeshje kampionale, Fazliu ka edhe 65 asistime.

Ai nuk e ka fituar asnjëherë rastin t’i tregojë vlerat te Kosova. Dhe për këtë i vjen shumë keq.

Sulmuesi 28-vjeçar në edicionin aktual ka shënuar shtatë gola për Aaraun.

“Dëshira ime ka qenë që njëherë të luaj për Kosovën. Unë shpresat nuk i humb. Më kanë thënë se pak vështirë është, sepse luaj në Challenge League. Unë kam shokë te Kosova dhe kam parë që Kosova edhe nga liga e saj ka ftuar lojtarë”, tha sulmuesi i Aaraut për KOHËN, të mërkurën.

Ai të hënën u shpall lojtari më i mirë i kategorisë së dytë zvicerane.

“Besoj se mund ta jap kontributin te Kosova”, thotë ai.

Tregon se para dy vjetësh ka pasur kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Fazliu është i lindur në Zvicër, ndërsa rrënjët i ka nga Bujanoci.

Ai është i lumtur për çmimin që e fitoi.

“Kam qenë tri herë i nominuar, dy herë nuk e kam fituar. Ka qenë e treta e vërteta. Kam pritur këtë çmim. Nëse nuk do ta fitoja, do të isha i mërzitur shumë. Kur dëgjova emrin, pastaj kur u ngjita në skenë isha pak i emocionuar. Nuk jam mësuar të flas para të gjithëve, sidomos në prezencë të njerëzve të mëdhenj si Xherdan Shaqiri, Murat Yakin. Ishte pak siklet, por në të njëjtën kohë ndjenjë e mirë”, është shprehur Fazliu.

Ai është zhvilluar si futbollist te Grasshopperi, ndërsa ka luajtur edhe për Luganon. Ka luajtur 13 ndeshje në Superligë për Grasshopperin dhe Luganon. Synimi i tij është të kthehet të luajë sërish në elitën zvicerane.

“Qëllimin gjithmonë e kam pasur ose të ngjitem në Superligë, ose të luaj jashtë Zvicrës. Po shoh me Aaraun të ngjitemi në Superligë, por nëse nuk arrijmë, do të largohem patjetër. Klubi më ndihmon shumë. Më kanë ofruar të gjitha kushtet, por si lojtar kam synim të luaj në nivel më të lartë. Të gjithë më thonë pse jam ende në Aarau. Por unë po vazhdoj punën time. Lugano nuk ma ka dhënë rastin të tregoj vlerat e mia. Nuk është rast për mua një lojë dhe pastaj të mos luaj më. Unë meritoj të luaj në Superligë ose jashtë Zvicrës”, ka thënë Fazliu.