Norvegjia i ka fituar dhjetë prej 16 kampionateve evropiane për hendbolliste të mbajtura deri më tani. Ka fituar tre Evropianët e fundit. Më 15 dhjetor në Vjenë e fitoi 31:23 finalen e Evropianit 2024, ndaj Danimarkës.
Dominimi në Evropian dëshmon për nivelin që Norvegjia ka në hendbollin e femrave. Dhe në vendin me hendbollin më të zhvilluar në kontinent, po paraqitet me sukses lojtarja nga Kosova, Mirela Gjikokaj. Më 29 dhjetor, në ndeshjen e parë me skuadrën e re, 25-vjeçarja e fitoi Kupën e Norvegjisë, trofeun e parë në karrierë. Skuadra e saj, Storhamar, fitoi me penallti ndaj Tertnesit. Gjikokaj, që është nga Deçani, e kishte një gol në finale.
Ajo tashmë i ka luajtur dy ndeshje në elitën norvegjeze. Më 2 janar, në fitoren 42:22 ndaj Fredrikstadit, Gjikokaj ishte prej më të mirave me pesë gola e tri asistime. Më 5 janar në fitoren 32:22 të Storhamarit ndaj Gjerpenit, i realizoi gjashtë gola nga shtatë tentime.
Të dielën hendbollistja kosovare do të debutojë në Ligën e Kampionëve. Me Storhamarin do të paraqitet në Rumani ndaj Glorias. Ende asnjë hendbolliste apo hendbollist kosovar nuk është paraqitur në fazën grupore të Championsit, garën elitare evropiane.
“Me paraqitjet e deritashme jam e befasuar pozitivisht. Nuk mund të jem e pakënaqur”, ka thënë Gjikokaj në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, të publikuar të mërkurën.
Ajo ka luajtur për shumë vjet te skuadra Follo, që ka lëvizur mes kategorisë së parë e të dytë të Norvegjisë. Por që është e nivelit dukshëm më të ulët se Storhamari. Pas fundit të edicionit të kaluar vendosi të ndërprejë karrierën në hendboll. Në dhjetor bëri disa stërvitje me Follon e ndërkohë i erdhi oferta e papritur nga njëra prej skuadrave më të mira në Norvegji. U mor si zëvendësim për një lojtare që ndërpreu karrierën për shkak të shtatzanisë.
“Gjithnjë kam thënë se nëse ka një klub për të cilin dua të luaj, atëherë ai është Storhamari. Gjithnjë më ka pëlqyer stili i lojës, pasi skuadra luan me ritëm shumë të lartë. Po më duket se nuk kam pasur asnjëherë shkëputje. Hendbollin nëse e mëson njëherë nuk e harron kurrë më”, ka theksuar Gjikokaj.
Ajo mezi pret debutimin në Champions, ndërsa është shumë mirënjohëse për mundësinë.
Pasi kishte ndërprerë karrierën, beku i majtë nuk u paraqit për Kosovën në dy ndeshjet e fundit të zhvilluara në tetor. Por pas kthimit në hendboll dhe hapit gjigant në karrierë, Gjikokaj pritet të kthehet edhe te Kosova.
Fillimisht megjithatë i gjithë fokusi i saj është te skuadra që lufton për titull të kampionit në vendin që e ka hendbollin më të zhvilluar në botë.
Pjesë e Storhamarit është edhe Tina Abdula, hendbollistja që ka prejardhje shqiptare. Familja e saj është nga Shkupi.