Merr një kthesë të papritur historia e boksierit të njohur shqiptarë Florian Marku. Ai është arrestuar sërish në Londër pasi arriti të dalë nga burgu në Gjermani.
“TopChannel” ka publikuar dokumentin e gjykatës së ekstradimeve të Londrës, sipas së cilës bazuar në një urdhër arresti ndërkombëtarë, ka arrestuar dhe ka nxjerrë përpara trupit gjykues i cila i ka komunikuar akuzat që vijnë nga urdhri arrestit i Greqisë.
Sipas kësaj shkrese, Florian Marku akuzohet për tentativë vrasje, plagosje me pasoja të rënda, armëbajtje pa leje dhe përdorim arme. Marku ka pranuar me vullnet të plotë të ekstradohet tashmë drejt shtetit grek për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit, pasi bëhet fjalë për ngjarjen e vitit 2010 kur ai është përleshur në një klub nate në Selanik ndaj disa shtetasve rusë.
Sipas mediave greke, për atë ngjarje rëndon një dënim prej 7 vitesh burg për të cilat më parë Florian Maku ka kryer vetëm 1 vit e gjysmë.
Aktualisht boksieri shqiptar ndodhet në paraburgim në Londër.
Edhe pse nga pala mbrojtëse është kërkuar që të lihej i lirë me kusht, Gjykata e Ekstradimeve të Londrës e ka rrëzuar poshtë kërkesën nën arsyetimin se ky shtetas nuk mund të lihet i lirë me kusht, bazuar tek akuzat serioze të ngritura ndaj tij.