Të premten nga ora 20:00 në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, Përfaqësuesen e Kosovës në futsall e pret përballje shumë e vështirë me Francën.
Kosova e Franca takohen për herën e parë, ndërsa ndeshja do të jetë e rëndësishme për kualifikim në “Euro 2026”, që organizohet në Letoni e Lituani.
Fituesit e dhjetë grupeve në “Main Round” kualifikohen në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Tetë skuadrat më të mira të vendit të dytë, luajnë në plejof.
Kosova është në Grupin 10, ndërsa aktualisht zë vendin e tretë me tri pikë, pas një humbjeje e një fitoreje, para Bullgarisë që ka dy humbje.
Franca i prinë grupit me gjashtë pikë nga dy ndeshje. Gjeorgjia po ashtu ka tri pikë, ndërsa zë vendin e dytë.
Kosova në Tbilisi e humbi ndeshjen e parë 3:1 nga Gjeorgjia, ndërsa futbollistët e drejtuar nga përzgjedhësi Agon Ramadani, fituan 6:2 ndaj Bullgarisë në Prishtinë. Ato ndeshje u zhvilluan në dhjetorin e vitit të kaluar.
Franca është favorite e grupit, ndërsa viteve të fundit ka shënuar rritje në futbollin e sallës. Vitin e kaluar përfundoi e katërta në Kampionatin Botëror, që u zhvillua në Uzbekistan.
Në gjysmëfinale humbi nga Argjentina, ndërsa në ndeshjen për vend të tretë u mposht nga Ukraina.
Kosova ende nuk ka arritur të luajë në një ngjarje të madhe, por selektori i Francës, Raphael Reynaud, ka vlerësuar lartë “Dardanët”.
“Dy ndeshjet me Kosovën mund të jenë vendimtare në kampanjën tonë kualifikuese. Kemi dy fitore, ndaj Bullgarisë e Gjeorgjisë. Dy ekipet që mund të na shkaktojnë telashe për vendin e parë janë Kosova dhe Gjeorgjia. Të dyja kanë nga tri pikë, ndërsa ne gjashtë. Dy fitore ndaj Kosovës do të bënin që të kishim të paktën edhe një ndeshje vendimtare në Gjeorgji, në muajin prill”, ka deklaruar Reynaud për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Francës.
Menjëherë pas këtij ballafaqimi, Kosova luan sërish me Francën, por në udhëtim më 4 shkurt. Më 11 prill e pret Gjeorgjinë, ndërsa kualifikimet i mbyll më 16 prill në udhëtim te Bullgaria.