Steven Gerrard është larguar nga roli i trajnerit te skuadra Al-Ettifaq me marrëveshje të dyanshme, vetëm 18 muaj pasi u vu në krye të ekipit arab.
Ish-trajneri i Aston Villas dhe Rangersit e mori drejtimin e skuadrës nga elita e futbollit të Arabisë Saudite në korrik të vitit 2023.
Gerrard, që si futbollist aktiv ka luajtur për Liverpoolin e Anglinë, e kishte vazhduar kontratën deri në vitin 2027.
Por, Al-Ettifaq i ka fituar vetëm pesë nga 17 ndeshje të ligës në edicionin aktual, dhe ka vetëm pesë pikë më shumë se zona që dërgon në kategorinë e dytë.
“Futbolli është i paparashikueshëm dhe ndonjëherë gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur. Sidoqoftë, largohem me respekt të madh për këtë klub dhe shtet. Nuk kam dyshim se puna që po bëhet do të sjellë sukses në të ardhmen. I uroj ekipit më të mirën për pjesën e mbetur të sezonit”, ka deklaruar Gerrardi, shkruan “BBC” të enjten.
Gerrardi me këtë skuadër i fitoi 23 nga 59 ndeshje në total.
Ishte prej trajnerëve më të paguar në botën e futbollit, pasi paga e tij ishte afro 18 milionë euro në vit.