Trepça e Sigal Prishtina kanë luajtur dy ndeshje shumë të forta së fundi. Dhe që të dy takimet i fitoi skuadra prishtinase.
Më 15 janar në palestrën “1 Tetori” Prishtina e mposhti Trepçën me rezultat 67:65, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll. Një javë më pas, më 23 janar, Prishtina fitoi në “Minatori” me rezultatin 88:86, në kuadër të xhiros së 18-të të Superligës.
Tjetër përballje dy prej skuadrave më të mëdha në vend do të kenë të mërkurën prej orës 18:30. Sërish në “Minatorin” e zjarrtë, Trepça e Prishtina përballen në gjysmëfinalen e dytë të Kupës. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve, kualifikohet në finale.
Prishtina ka përparësi prej dy pikëve pas ndeshjes së parë, kështu që sfida pritet të jetë shumë interesante dhe dramatike deri në fund. Numri i tifozëve po ashtu pritet të jetë shumë i madh, e atmosfera jo e lehtë për skuadrën prishtinase.
Kapiteni i Prishtinës, Fisnik Rugova, beson se forma e mirë e skuadrës do të vazhdojë edhe të mërkurën.
“Në ndeshjet e fundit kemi shfaqur formë super të mirë. Shpresoj të vazhdojmë njëjtë edhe të mërkurën. Na pret një ndeshje e fortë, ndërsa do të japim çdo gjë për të arritur në finale. Pres lojë të fortë e atmosferë të zjarrtë, pasi dihet rivaliteti. Por besoj se do t’i gëzojmë tifozët tanë”, ka thënë Rugova të martën për KOHËN.
Prishtina është në seri prej gjashtë fitoreve. Në kampionat ka mposhtur rresht Proton Cable Prizrenin, Borën, Golden Eagle Yllin, Trepçën dhe Pejën. Humbjen e fundit e pësoi nga Vëllaznimi, më 29 dhjetor.
Është në vendin e tretë me 30 pikë.
Trepça është e dyta në Superligë me 32 pikë. “Xehetarët” kanë lëshuar shumë pikë në xhirot e fundit. Të shtunën kishin punë të lehtë ndaj Proton Cable Prizrenit në “Minatori” dhe fituan 95:79.
Drilon Hajrizi po shfaq formë të lartë së fundi, pas telasheve shëndetësore që i kishte në pjesën e parë të kampionatit.
“Është prej ndeshjeve më të rëndësishme këtë edicion. Vendos për vend në finale dhe ne po mundohemi që gabimet e bëra në ndeshjet e kaluara me Prishtinën t’i përmirësojmë në stërvitje. Duam rezultat pozitiv dhe të kalojmë në finale. Jemi të kompletuar dhe kjo më gëzon më së shumti. Të gjithë lojtarët po ushtrojmë shumë dhe të bashkuar, së bashku me shikuesit mitrovicas, presim të kalojmë në finale. I kemi luajtur gjitha finalet viteve të fundit dhe shpresoj shumë se nuk do të prishim serinë dhe do të kualifikohemi në finale”, ka thënë Hajrizi.
Trepça është fituese në fuqi e Kupës.
Në çerekfinale Trepça e eliminoi Proton Cable Prizrenin, ndërsa Prishtina e eliminoi Pejën.
Në gjysmëfinalen tjetër përballen Bashkimi e Vëllaznimi. Ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten nga ora 18:30 në Prizren.