Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, ka shprehur zhgënjimin pas barazimit me Atalantan të martën. Skuadra torineze mbetet e pamposhtur në Serie A, por barazimet e vazhdueshme kanë bërë që të jetë shumë larg synimeve që i ka për këtë edicion.
Pikë të tjera Juve lëshoi ndaj Atalantas. Pierre Kalulu kaloi në epërsi 1:0 Juventusin në minutën e 54-t, ndërsa për 1:1 shënoi Mateo Retegui në minutën e 78-të.
Motta është i vetëdijshëm që vetëm të mos pësohet humbje nuk është e mjaftueshme për një skuadër si Juventusi. Ai e di që numri i barazimeve nënkupton se rezultatet nuk janë të mira për klubin. Juventusi tani i ka plot 13 barazime nga 20 ndeshje. Ka 34 pikë, 15 më pak se në fazën e njëjtë të garës në edicionin e kaluar.
“Është e qartë se nuk mund të jemi të lumtur me rezultat. Ne dalim në fushë për të fituar. Kemi luajtur mirë, kemi krijuar disa situata interesante, por nuk ishim mjaftueshëm të mirë për të shënuar”, ka thënë Motta.
Juventusi ka shtatë barazime në tetë ndeshjet e fundit kampionale.
“Është e vërtetë që kemi barazuar shumë këtë edicion dhe që nuk jemi të lumtur për këtë. Nuk mund të jemi të kënaqur me barazim. Por lojtarët janë paraqitur mirë. E çmoj përpjekjen e tyre dhe paraqitjen. Tani kemi ndeshje të rëndësishme ndaj një ekipi të shkëlqyer dhe duhet të rikuperohemi mirë”, ka thënë Motta duke iu referuar ndeshjes me Milanin, të shtunën.
Randal Kolo Muani pritet të huazohet te Juventusi nga PSG-ja deri në fund të edicionit. Por Motta nuk ka folur për këtë.
Kalulu, që shënoi golin e vetëm ndaj Atalantas, ka thënë se seria e barazimeve ka nisur ta largojë fokusin nga paraqitjet e skuadrës në fushë.
“Një mbrëmje e mirë në fillim, më pas ky gol i pranuar la në hije atë që kemi bërë. Ne gjithnjë po duhet të bëjmë diçka më shumë për të fituar pikët”, ka thënë mbrojtësi.
Juventusin e presin ndeshje të vështira në vazhdim. Pas ndeshjet me Milanin në Torino, luan në Belgjikë ndaj Club Brugge në Champions. Më 25 janar është ndeshja Napoli – Juventusi, ndërsa më 29 janar, Juve e luan ndeshjen e fundit në fazën e ligës së Championsit, në shtëpi ndaj Benficas.