Më 23 tetor, klubi i basketbollit Vëllaznimi njoftoi për ndarjen me trajnerin Branimir Paviq. Më 28 tetor, kroati Jeronimo Sharin debutoi me fitore te skuadra gjakovare. Madje ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet.

Prej atëherë Vëllaznimi ka dukshëm më tepër fitore se humbje. Me Sharinin në krye të shtabit teknik, Vëllaznimi është rritur shumë si skuadër.

Më 2 nëntor gjakovarët pësuan në Pejë me rezultat 75:68. Një javë më pas fituan në shtëpi ndaj Bashkimit me 78:67. Humbën më pas nga Trepça në Gjakovë, e nga Proton Cable Prizreni në udhëtim.

Prej 15 dhjetorit kanë lidhur fitoret kampionale ndaj Borës, Yllit, Sigal Prishtinës dhe së fundi edhe Pejës. Pos kësaj Vëllaznimi e ka eliminuar Golden Eagle Yllin në çerekfinale të Kupës, duke e mposhtur 100:82 në “Shani Nushi” dhe duke pësuar 98:91 në Suharekë. Në xhiron e parë të Ligës Unike, Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Teutës së Durrësit me rezultat 98:92.

“Kur erdha, në fund të tetorit, situata në klub nuk ishte më e mira. Kjo edhe solli ndarjen me trajnerin e mëparshëm. Por në klub gjeta njerëzit me të cilët kisha dhe kam komunikim të shkëlqyer. Jemi në seri të fitoreve, duke llogaritur Ligën Unike dhe garën për Kupë. Tani vetëm shpresojmë të vazhdojmë kështu”, ka thënë Sharin të premten për KOHËN.

Vëllaznimi e mposhti Pejën me rezultat 83:69, të enjten në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës. Tani është në vendin e katërt me 23 pikë, sa i ka edhe Peja në vendin e tretë. Trepça udhëheq me 26 pikë, ndërsa Bashkimi i ka 25 në vendin e dytë. Poshtë Vëllaznimit janë Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli, Bora dhe Proton Cable Prizreni.

Vëllaznimi varet shumë nga kontributi i lojtarëve të huaj, sidomos sa i takon pikëve të shënuara. Jason Jitoboh ndaj Pejës i kishte 13 pikë e gjashtë kërcime. Jericole Hellems ishte më efikasi me 21 pikë, ndërsa i kishte edhe gjashtë kërcime. Trey Anderson i realizoi 17 pikë e shtatë kërcime.

Kontribut po japin edhe vendorët, sidomos kapiteni Atik Koshi, Don Polloshka e Arian Azemi. Koshi i kishte 15 pikë ndaj Pejës.

Sharin ka folur për “çelësin” e suksesit të Vëllaznimit.

“Kemi bërë ndryshime në ekip. Disa të huaj janë larguar dhe kanë ardhur të tjerë. Dhe kishim fat pasi këta që kanë ardhur janë vetëm më të mirë se ata që janë larguar. Kemi ndryshuar edhe mënyrën e lojës. Tani luajmë basketboll shumë më atraktiv. Atmosfera në palestër është kthyer. Kjo është e pritshme, kur ka suksese ka edhe shikues, kështu ndodh në çdo vend. Në afatin e janarit ishim ekipi i vetëm që nuk ndryshuam asgjë. Me kryesinë e klubit vendosëm të vazhdojmë me përbërjen e njëjtë, duke vlerësuar përbërjen që e kemi”, thotë Sharin.

50-vjeçari si trajner ka arritur sukseset më të mëdha në Kosovë. Ka drejtuar Shibenikun dhe disa skuadra tjera kroate, ndërsa ishte edhe te Vllaznia e Shkodrës.

Ai tregon se është pritur shumë mirë te Vëllaznimi dhe në përgjithësi në Gjakovë. Thotë se njerëzit janë shumë të afërt e bashkëpunues.

“Atmosfera është shumë e mirë. Vetëm shpresojmë të vazhdojmë me këto rezultate. Kohë për festë nuk kishim pas fitores ndaj Pejës. Menjëherë kemi kthyer fokusin te ndeshja e së dielës që e kemi ndaj Bashkimit në Prizren”, ka theksuar Sharin.

Bashkimi të mërkurën e mposhti Trepçën dhe llogaritet favorit edhe ndaj Vëllaznimit. Por gjakovarët udhëtojnë me synim të qartë – për fitore.

Sharin për herë të parë në Kosovë erdhi në edicionin 2016/17. E udhëhoqi Prishtinën drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës e po ashtu drejt  paraqitjes në gara evropiane. Ka drejtuar Bashkimin në vitin 2019 e më pas Pejën.

“Me Prishtinën kam pasur suksese të mëdha, ndërsa jemi paraqitur mirë edhe në Evropë. Me Bashkimin kemi tejkaluar synimet që ishin kur e mora drejtimin e skuadrës. Edhe te Peja kemi pasur rezultate, por nuk kam pasur periudhë të mirë. Tani te Vëllaznimi çdo gjë është në rregull. Po funksionojnë të gjitha gjërat dhe, e përsëris, vetëm shpresoj të vazhdojmë me këso rezultate”, ka thënë Sharin.

Si pak ndonjë trajner tjetër i huaj, ai po punon në skuadrën e katërt kosovare. Dhe po çmohet për punën që bën.