Bundesliga 2 aktualisht është duke ofruar garë interesante për promovim në elitën gjermane dhe klubet e mëdha tradicionale janë në qendër të kësaj gare. Kështu që nuk është befasi që rekordi i shikuesve është thyer në xhiron e 19-të

Mesatarisht 35 mijë e 830 shikues ishin në stadiumet e skuadrave të Bundesligës 2 në ndeshjet e xhiros së 19-të, të zhvilluara të premten, të shtunën e të dielën. Plot 322 mijë e 468 shikues i përcollën nga afër nëntë ndeshjet e kësaj xhiroje.

Kjo shifër thyen rekordin e xhiros së 24-t të edicionit të kaluar, kur mesatarisht nga 33 mijë e 983 shikues ishin në ndeshjet e kategorisë së dytë të futbollit gjerman.

Plot 75 mijë e 500 shikues ishin në ndeshjen mes Hertha Berlinit dhe Hamburgut, në stadiumin olimpik në Berlin.

Miro Muheim i Hamburgut ishte i entuziazmuar me atmosferën në stadium.

“Ishte atmosferë e pabesueshme. 20 mijë tifozë të Hamburgut erdhën këtu, është çmenduri”, ka thënë mbrojtësi i majtë pas fitores spektakolare, 3:2, në Berlin. Ajo ndeshje u zhvillua të shtunën.

Plot 61 mijë e 955 shikues ishin në “Veltins Arena” në Gelsenkirchen, ku Schalke shënoi fitore ndaj Nurnbergut, 3:1. Në fitoren 1:0 të Kolnit ndaj Elversbergut, zyrtarisht ishin 49 mijë e 800 shikues.

Për herë të parë në histori mesatarja e gjithë edicionit është mbi 30 mijë shikues për ndeshje. Mbi 5,1 milionë shikues kanë vizituar stadiumet e Bundesliga 2 në edicionin 2024/2025.

Pas 101 prej 306 ndeshjeve, shifra mesatare e shikuesve është 30 mijë e 329. Rekordi i kaluar ishte edicionin e kaluar. Mesatarisht ishin nga 29 mijë e 290 shikues. Pos që ka klube shumë të mëdha, liga është shumë interesante. Hamburgu e Kolni i kanë nga 34 pikë. Magdeburgu i ka 32, sa edhe Kaiserslauterni. Pasojnë në tabelë Hannoveri e Paderborni me nga 31 pikë, Dusseldorfi me 30, Karlsruhe me 29 e Elversbergu me 28.

Dhjetë xhirot me më së shumti shikues në histori të Bundesliga 2 janë të dy edicioneve të fundit. Por më së shumti shikues në një ndeshje kishte në xhiron e 32-të të edicionit 1976/77. 77 mijë e 573 shikues ishin në ndeshjen Munich 1860 – Stuttgart.

Në përgjithësi numri më i madh i shikuesve mblidhet në stadiumin olimpik në Berlin. Shifra më e lartë në këtë stadium ishte në edicionin 2010/11. 77 mijë e 116 shikues ishin në ndeshjen ndaj Augsburgut.